Video

Pas presionit të kryetarit të Komunës, mësimi në Deçan rinis nesër

Greva e mësimdhënësve e ka tensionuar Deçanin këtë të hënë.

Gjatë gjithë ditës, kryetari Bashkim Ramosaj ka qenë në mision për t’i bindur krerët lokalë të SBASHK-ut që ta ndërpresin grevën dhe të rinisin mësimin, raporton KTV.

Kur nuk e ka arritur këtë, Ramosaj ka dalë nga takimi dhe i ka lënë përfaqësuesit e SBASHK-ut të përplasen ndërmjet vete.

Paradite, kryetari lokal i SBASHK-ut, Avdullah Lataj, tha se vetëm ata mund të vendosin për ndërprerjen ose jo të grevës.

E, kryetari i kësaj komune ka thënë që vendimi i kryeministrit është i qëlluar, pasi që sipas tij, kjo ishte mundësia e vetme.

Por, efektet e presionit janë parë pasdite, kur SBASHK-u në këtë komunë ka vendosur ta ndërpresë grevën, dhe për pasojë kryetari Lataj ka dhënë dorëheqje.

Por, pavarësisht thirrjeve të shumta, janë mësimdhënësit që janë shprehur të vendosur për vazhdimin e grevës.

Nga vendimi i kryeministrit të Kosovës, për rritje të pagave vetëm për disa kategori të mësimdhënësve, më të zhgënjyer po dalin të jenë punëtorët teknikë.

E, ndër komunat e para, e cila bëri thirrje për mbajtje të procesit mësimor, ishte Komuna e Junikut.

Këtu të hënën ka filluar greva e mësimdhënësve, pasi që mësimi ishte shtyrë për shkak të motit të ftohtë.

Pavarësisht njoftimit të komunës për fillimin e vitit shkollor, mësimdhënësit e shkollës fillore “Edmond Hoxha” kanë thënë se nuk do ta ndërpresin grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

E, drejtori i arsimit në këtë komunë, ka thënë se do ta vazhdojnë me MASHT-in të gjejnë zgjidhje për rifillim të procesit mësimor, por pa presion.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë thirrje që mësimi të rinisë të martën në këtë komunë, dhe thirrja e njëjtë vlen edhe për të tjera komuna që kryesisht udhëhiqen nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj.