Greva hyn në javën e dytë, SBASHK-u e quan ofendim ofertën e Qeverisë

21 January 2019 19:07

Me gjithë kundërshtitë e kritikat, ka hyrë në ditën e gjashtë greva e sindikalistëve të arsimit, pas refuzimit të ofertës së kryeministrit Ramush Haradinaj për ngritje të pagave.

Në ambiente të ftohta janë duke qëndruar tash e katër ditë grevistët e shkollës “Elena Gjika” në kryeqytet, raporton KTV.

Ata kanë thënë se Drejtoria për Arsim e Komunës së Prishtinës, qëllimisht e ka ndalur ngrohjen, si shenjë presioni për t’u tërhequr nga kërkesat e tyre.

Mësimdhënësit kanë thënë se janë ndier të ofenduar nga oferta e kryeministrit.

E, për përgjegjësinë që kanë ndaj fëmijëve, pasi që greva e tyre është shkaktare për mosvazhdimin e mësimit, fajësojnë institucionet.

Mësimdhënësit kanë thënë se greva është e drejtë e tyre, duke shtuar se nuk kanë qëllime tjera përveç rritjes së koeficientit prej 30 për qind.

Për të refuzuar edhe një herë ofertën e kryeministrit, anëtarët e Këshillave të SBASHK-ut nga të gjitha qytetet e Kosovës janë mbledhur në Prishtinë në një takim.

Ata kanë thënë se janë mashtruar nga Qeveria, pasi që në vend të 20 milionë eurove, atyre u janë ofruar vetëm 12 milionë.

Gjithashtu, e kanë quajtur të padrejtë vendimin e Qeverisë, që në ofertën e saj nuk e ka përfshirë administratën, stafin teknik dhe universitetet.

Kryeministri Haradinaj ka përsëritur qëndrimin se ofertë të re për mësimdhënësit nuk do të ketë, dhe se ata duhet ta vazhdojnë mësimin.

Greva vazhdon të kundërshtohet nga ata që dëmtohen më së shumti, nxënësit.

Pas një sërë paralajmërimesh, greva në arsim ka nisur të hënën e kaluar dhe nëse vazhdon, për javën e tretë është paralajmëruar radikalizim i saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme