Opozita e Thaçi bojkotojnë mbledhjen e Ekipit Shtetëror

14 janar 2019 19:21

Ende në mjegull vazhdon të jetë komunikimi mes Presidencës dhe Ekipit shtetëror të dialogut.

Kjo, ngase asnjë dokument nuk i është dorëzuar Ekipit Shtetëror të dialogut nga ana e presidentit Hashim Thaçi, ndonëse ishte zotuar se do të dorëzohen nga 26 dhjetori i vitit të kaluar, raporton KTV.

Bashkëkryesuesi i këtij ekipi, Shpend Ahmeti, ka thënë se ka marrë sërish premtime nga Presidenca se së shpejti do t’ia dorëzojnë dokumentet rreth temave të diskutuara për dialogun.

Pas takimit, Ahmeti ka thënë se të mërkurën do të jetë gati platforma e Kosovës për dialogun.

Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pa u pranuar në OKB.

Ai ka bërë një varg akuzash ndaj dy partive opozitare Vetëvendosjes dhe në veçanti, LDK-së, që bojkotuan këtë takim.

Presidenti Hashim Thaçi, që nuk mori pjesë në këtë takim, ka kërkuar unitet për këtë proces. Edhe Thaçi ka thënë se ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin shtetëror. Thaçi ka shkruar se askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut.

Ndërkaq, kushtëzimit të Serbisë për vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës 100% dhe kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve, kryeministri Haradinaj u është përgjigjur me insistimin se taksa do të mbetet në fuqi.

Haradinaj në një shkrim në Facebook, ka thënë se qeveria do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila sipas Haradinajt, duhet të rezultojë me njohjen reciproke.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme