Video

Minatorët s’e ndalin grevën pa u plotësuar kërkesat, kërcënojnë me ashpërsim të masave

Një mijë minatorë të minierës së Stantërgut për të dytën ditë me radhë kanë vazhduar grevën duke mos hyrë fare në minierë për nxjerrje të xeheve e mineraleve të ndryshme.

Ata ankohen për kushtet e vështira, me të cilat përballen çdo ditë punëtorët, si dhe po kërkojnë edhe rritjen e pagave për 20 për qind, raporton KTV.

Pos, vizitës së drejtorit Xhevdet Tahiri në ditën e parë të grevës, askush tjetër nga niveli qendror nuk është interesuar t’i dëgjojë kërkesat e këtyre minatorëve.

Këshilli Grevist vendosi për vazhdimin e grevës deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ata kërkojnë nga kryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik t’i vizitojë dhe të njoftohen me kërkesat e tyre.

Në të kundërtën, paralajmërojnë ashpërsim të masave sindikale.

Sipas tyre të enjten kur ndërprenë punën dhe nisën grevën një minator u arrestua.

Kjo pasi që ushtruesi i detyrës së drejtorit të bordit të Trepçës kishte paraqitur në polici një anëtarë të sindikatës me arsyen se janë ndier të kërcënuar.

Vetë Tahiri e pranon se Trepça është në një gjendje të rëndë duke thënë se pa zbatimin e ligjit i cili është miratuar në Kuvend vitin e kaluar asgjë nuk do të ndryshoj.

“Trepça për momentin ndodhet në një periudhë të mbijetesës si rezultat i mos funksionalizimit të ligjit. Regjistrimi i ndërmarrjes sipas ligjit në fuqi na jep mundësi për një ristrukturim dhe zbatimin e një plani zhvillimor që nënkupton edhe shënimin e një epoke te re. Prandaj sot gjendemi në një gjendje jo te mire financiare dhe sfidat e mbijetesës janë te renda. Sakrificat e minatorëve janë te mëdha përballë moshës se tyre dhe kushteve te punës”, ka thënë Xhevdet Tahiri, U.D. i drejtorit të bordit.

Trepça gjatë vitit 2018 ka pasur më pak të hyra për 23.56 për qind krahasuar me vitin 2017.