Video

Ekipi shtetëror takon ambasadorët e Quint-it, “Kosova gati për fazën finale të dialogut”

Ekipi negociator për dialogun me Serbinë bashkë me krerët e lartë shtetërorë, i njoftuan ambasadorët e huaj për ecurinë e dialogut dhe për platformën e Kosovës për këtë proces.

Pjesëmarrës në takim ishin udhëheqësit e shtetit, por aty sërish mungoi opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, raporton KTV.

Pas takimit me dyer të mbyllura, ambasadorët nuk u deklaruan .

Para mediave doli vetëm bashkëryenegociatori Fatmir Limaj.

Limaj tha se ambasadorëve të Quintit iu bë e ditur se Kosova ka arritur unitet për procesin final të dialogut, për ç’gjë e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve.

I pyetur nga gazetarët se me kë do të takohen në Bruksel më 8 janar, Limaj tha se takimin do ta zhvillojnë me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Por, Limaj tha se nuk mund të flasë për ekipin e Serbisë.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, të cilët kishin thënë se nuk do të takohen me Limajn për shkak të së kaluarës, ai tha se është në dijeni se nuk u pëlqen atyre, por edhe ata nuk i pëlqejnë Limajt.

Ai u bëri thirrje mediave që mos ta përziejnë procesin e dialogut me taksën 100 për qind, pasi, sipas tij, taksa nuk do të hiqet.