Video

Vendimi për ushtrinë është i pakthyeshëm, pavarësisht çfarë do të ndodhë në KS të OKB-së

Sukses të jashtëzakonshëm për Kosovën i ka quajtur presidenti Hashim Thaçi dy vendimet e fundit të Kuvendit, atë për formimin e ushtrisë dhe miratimin e rezolutës për dialogun.

Pak para nisjes për New York, ku pritet të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur urgjent nga Këshillit i Sigurimit, pas votimit të ligjeve për ushtrinë, presidenti ka theksuar se Ushtria e Kosovës është një proces i pakthyeshëm.

Ushtria e Kosovës, sipas tij, do të prodhojë paqe e stabilitet në rajon.

Presidenti ka mirëpritur edhe votimin e rezolutës për dialogun me Serbinë.

Është shprehur i bindur se bashkë me ekipin negociator do të arrijnë që fazën finale të dialogut ta përmbyllin me sukses.

Kuvendi i Kosovës, të shtunën, në një seancë të jashtëzakonshme, ka votuar rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë dhe përbërjen e ekipit negociator, i cili do të kryesohet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Votimi i rezolutës është konsideruar një arritje e jashtëzakonshme nga pushteti, pasi me këtë lëvizje konsiderohet se Kuvendit i është kthyer kontrolli mbi procesin e dialogut.