SHBA-ja e quan historik votimin për Ushtrinë, Gjermania e përkrah me një këshillë

13 dhjetor 2018 19:04

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe njëherë, kanë shprehur përkrahje për transformimin e FSK-së në Ushtri.

Madje, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnet, e ka quajtur votimin e së premtes në Kuvend, historik.

“SHBA-ja do ta përkrahë zhvillimin profesional dhe transformimin organizativ të FSK-së, i cili duhet të ketë rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar sikur karakterin multi-etnik të vendit, gjithashtu edhe dedikimin e kosovarëve për paqe”.

“Seanca e nesërme e Kuvendit dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë ngjarje për reflektim dhe ridedikim për paqe, stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj. Tani është koha për të gjithë liderët dhe palët që ta fokusojnë energjinë në dialog”, ka shkruar Kossnet në Twitter.

Një ditë para votimit të Ushtrisë së Kosovës, mbështetje ka dhënë edhe Gjermania.

Megjithëse ka thënë se ky proces nuk do të duhej të ngutej dhe të jetë gjithëpërfshirës.

“Pozicioni gjerman, siç është deklaruar më herët, është se Kosova, si një shtet i pavarur, ka gjithashtu të drejtën e saj për të pasur forca të armatosura. Ne e kemi theksuar që ky proces nuk do të duhej të ngutej dhe që duhet të jetë gjithëpërfshirës, posaçërisht sa i përket komuniteteve jo-shumicë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, dërguar “Kohës Ditore”.

Sa i përket pakos së ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend, sipas Ambasadës, ato do të analizohen pasi të jenë miratuar. Por, kanë kujtuar se kjo nismë nuk duhet të keqpërdoret nga asnjëra palë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Në një bisedim online me qytetarët e Kosovës, edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është pro krijimit të forcës së armatosur.

“Mbretëria e Bashkuar beson se është e drejtë e Kosovës t’i krijojë forcat e saj të armatosura. Ne vazhdojmë ta inkurajojmë Kosovën të sillet me përgjegjësi dhe me transparencë dhe në konsultim me aleatët e NATO-s dhe ta respektojë angazhimin e saj ndaj KFOR-it, përfshirë edhe shkëmbimin e letrave të vitit 2012-2013”, ka thënë ai.

E, në kohën që është betonuar përkrahja e aleatëve më të fuqishëm të Kosovës për Ushtrinë, në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është ankuar edhe të enjten, duke thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës i kontribuon destabilizimit të rajonit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme