Video

Apostolova nxënësve: Korrupsioni e keqja më e madhe që i ndodh një shteti

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se derisa korrupsioni mbetet i rrënjosur në Kosovë, të rinjtë nuk guxojnë të dekurajohen nga kjo situatë, raporton KTV.

Në një diskutim me nxënësit e shkollave të mesme, Apostolova i ka porositur ata që në moshë të re të mësojnë se korrupsioni është kancer i një shteti.

Shefja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, po mundohet që nxënësit e shkollave të mesme t’i bindë se korrupsioni është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një shteti.

Gjatë diskutimit me ta, u ka thënë se që nga vegjëlia, duhet të mësojnë se korrupsioni e pengon zhvillimin e vendit.

“Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet e BE-së, kudo në botë. Në Kosovë është e rëndësishme kjo, sepse korrupsioni ndalon progresin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, nepotizmi politik keqtrajton sistemin e vendimmarrjes dhe rrezikon të ardhmen e vendit që jeni ju, rinia”, ka thtënë Apostolova.

Sipas saj, korrupsioni mbetet i rrënjosur në Kosovë, andaj të rinjtë nuk duhet të lejojnë që kjo të ndodhë.

Ndërsa, Ambasadorja e Holandës në Kosovë, tha se rinia duhet të shohë shembujt e mirë për t’i praktikuar dhe jo dukuritë negative.

“Ju keni rol të rëndësishëm, jeni e ardhmja e Kosovës dhe duhet të shihni shembujt e mirë që duhen praktikuar. Autoritetet po punojnë në këtë drejtim, duke u mbështetur nga BE-ja dhe shtetet e tjera dhe duhet vazhduar që t’ju mbështesim, ku edukimi kundër këtyre dukurive fillon që nga familja”, ka thënë Gerrie Willems, ambasadore e Holandës në Kosovë.

Ministri i Arsimit tha se korrupsioni e humb vlerën e çdokujt, për çka institucionet, sipas tij, duhet ta luftojnë këtë dukuri në vazhdimësi.

Drejtori i Agjencisë Antikorrupsion para këtyre nxënësve tha se edhe në arsim ka korrupsion të nivele të ndryshme.