Video

Shumë aktivitete për të treguar se niveli i korrupsionit në vend është i lartë

“Faji i korrupsionit” është titulluar ekspozita me fotografi dhe video e Institutit Demokratik të Kosovës, në përpjekje për ta paraqitur nivelin e kësaj dukurie në vendin tonë.

Shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, beson se niveli i korrupsionit në Kosovë është shumë i lartë dhe është shumë vështirë të luftohet kundër tij.

Ndërkaq, Florent Spahija, zyrtar ligjor në KDI, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shkarkimin e të gjithë zyrtarëve shtetërorë të cilët janë të përfshirë në afera korruptive.

Në kuadër të këtij aktiviteti, u ndanë edhe tri vendet e para për fotografinë dhe videon më të mirë që paraqet efektin e korrupsionit.

E, me aktivitete, këtë ditë e ka shënuar edhe Lëvizja “FOL”, duke shfaqur një performancë me titullin “Hupja fijen korrupsionit”.

Me këtë rast u është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta luftojnë korrupsionin dhe ta raportojnë atë.

Mexhide Demolli-Limani, drejtoreshë e FOL-it, tha se duhet punuar shumë në mënyrë që institucionet të jenë llogaridhënëse.

Stephen Carpenter nga USAID Team, tha se kjo performancë paraqet më së miri rolin kritik të qytetarëve në një shoqëri demokratike.

Gjatë këtij aktiviteti u shfaqën mbishkrime të shumta si: “Prokurorin e kam të njohshëm”; “30% mu, tjerat shtetit”; “Me m’shti në punë, sa?” ; “Ministri është i jemi”, etj.

Java kundër korrupsionit ka filluar të dielën, ndërkaq gjatë tërë muajit do të ketë aktivitete përmes të cilave synohet që të vetëdijesohen qytetarët dhe të mos frikësohen të kërkojnë transparencë.