Video

Ceca hyri pa probleme në Kosovë, mbajti koncert rreth 1 orë e gjysmë

Pa lejen e autoriteteve në vend, përmes pikës kufitare në Jarinjë, ka hyrë në veri të vendit të shtunën këngëtarja serbe Stevlana Razhnatoviq, e njohur si Ceca.

Ndonëse një ditë më parë ishte ministri i Kulturës Kujtim Gashi ai i cili kishte kërkuar nga autoritetet në vend që të ndalonin hyrjes e saj në Kosovë, me arsyetimin se ajo nuk kishte kërkuar leje paraprake, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, raporton KTV.

Duke iu afruar pikës kufitare të Jarinjes, Ceca në rrjetin social Instagram, ka postuar një foto duke iu referuar këtij kufiri si kufi administrativ.

E derisa ajo po pritej të arrinte në stadiumin e shkollës së mesme teknike, aty ku pritej të niste koncerti, pjesëtarë të shumtë të policisë së Kosovës gjendeshin këtu për të ofruar siguri për këtë koncert.

Ndonëse koncerti nisi me 30 minuta vonesë, stadiumi gjatë gjithë performancës së saj, nuk arriti asnjëherë të mbushej.

Koncertin e saj, Ceca e hapi me një fjalim të shkurtër.

Për gati një orë e gjysmë këngëtarja serbe, Svetlana Razhnatoviq, ka perfomuar hitet e saja më të mëdha.

Ndërsa, në fund të koncertit, ajo pati një porosi për siç tha ajo popullin e saj.

Ky koncert u organizua si përkrahje e protestave të serbëve në veri të Mitrovicës, të cilët tash e disa ditë, po kundërshtojnë taksën e vënë 100 përqind produkteve serbe.

Ndryshe, këngëtarja e muzikës popullore turbo-folk Svetlana Razhnatoviq, ishte gruaja e ish-udhëheqësit të paramilitarëve serbë në Kosovë, Zhelko Razhnatoviq, i njohur si Arkani, i cili dyshohet të ketë kryer krime gjatë luftës në Kosovë./Donika Voca Gashi