Video

Haradinaj: E vërtetë është që politika jonë e jashtme ka të meta, ka të çara dhe ka vend për kritika

Behgjet Pacolli, edhe njëherë tjetër, i ik përballjes me deputetë për skandalet në diplomacinë kosovare.

Pavarësisht se u kishte premtuar deputetëve se pas Interpolit ai do të vinte në seancë plenare, këtë nuk e bëri.

Por, kjo nuk i pengoi deputetët që të bënin për rreth shtatë orë debat për skandalet diplomatike e për tentimin e Presidentit që t’i korrigjojë kufijtë.

Aty, me rezolutë, u kërkua dorëheqja e gjithë Kabinetit Qeveritar.

Vetë kryeministri, i cili në pjesën e parë të seancës kishte zgjedhur të ishte në sallën plenare, ka pranuar se politika e jashtme ka shumë të meta.

Në këtë seancë, Kryeministri foli para deputetëve për taksën 100 përqind që u vendosi produkteve të Serbisë, derisa tha se kjo nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Por, nga partia e kryeministrit duan akoma më shumë.

Rezoluta e cila kërkonte dorëheqjen e Qeverisë e harmonizuar vetëm mes Vetëvendosjes e LDK-së nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në fund të debatit.

Pavarësisht pranisë fizike të 61 deputetëve në sallë, për këtë rezolutë votuan 35 deputetë, derisa një ka abstenuar.