Video

Aliu: Kreu i Prishtinës, aksionar në “Albi Mall”, Ahmeti i quan akuzat qesharake

Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar sërish Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, se po lejon ndërtime pa leje në kryeqytet.

Anëtari i kryesisë së VV-së, Arbër Vokrri, në një konferencë për medie, ka thënë se objekti shtesë i Qendrës Tregrare “Albi Mall” është ndërtuar pa leje dhe se Ahmeti e ka lejuar këtë, raporton KTV.

Vokrri ka deklaruar kjo i bën t’i shtojnë dyshimet për aferë korruptive të kryetarit Ahmeti. Ai e ka pyetur Ahmetin nëse është aksionar në këtë kompani.

Deputeti Liburn Aliu ka thënë se Shpend Ahmeti po ua mundëson ndërtimin pa leje dy objekteve, një në rrugën “Agim Ramadani” dhe një tjetri në rrugën “UÇK”.

Ndërtimi i këtyre objekteve, sipas Aliut, ishte ndaluar në janar të 2014-ës, kur ai ishte drejtor i urbanizmit për shkak të mosposedimit të lejes.

Ai e ka pyetur Ahmetin nëse kjo ka lidhje me Presidentin Hashim Thaçi apo Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Këto akuza, kryetari Shpend Ahmeti, i ka quajtur qesharake. Ai ka thënë për Kohavision-in se vetë deputeti Aliu kishte dhënë leje për ndërtimin e objektit të kësaj qendre tregtare.

Mirëpo, Ahmeti nuk i ka komentuar akuzat se ka lidhje me Presidentin dhe Kryeministrin për dy objekte pa leje në kryeqytet.