Video

Kurti: Thaçi është në rrugë drejt azilit politik, si Gruevski, vetëm se ky në Rusi

Korrigjimi i gabimeve në demarkacionin me Malin e Zi, për çka ishin marrë vesh presidentët e dy shteteve, Thaçi e Vujanoviç, ka mbetur vetëm në letër.

9 muaj më vonë, sipas kreut të VV-së, Albin Kurtit, demarkacioni me Malin e Zi, me të cilin Kosova humb 8200 hektarë tokë, ka inkurajuar Presidentin Thaçi për marrëveshjen me Serbinë, raporton KTV.

“Haradinaj i dha 8.200 hektarë për ulësen e kryeministrit. Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit, ndërkohë që shtiret se kjo është për ulësen e Kosovës në OKB. Territor për karrige, gjithsesi”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes ka kërkuar nga AAK-ja e Nisma Socialdemokrate që ta lënë të vetëm Thaçin në aventurën e tij, duke mos u bërë pjesë e ekipit negociues.

“Para vetëm një viti e gjysmë, askujt, ama bash askujt, nuk ia ka marrë mendja që ish-kyeministri maqedonas Gruevski do të kërkojë azil politik në Hungari”, ka thënë Kurti.

Lidhur me bisedimet me Serbinë, hapat e prezantuar nga Kurti kanë qenë shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut të deritanishëm, përcaktimi i qëllimeve nga këto bisedime, nxjerrja e një platforme me parime si dhe ekipi negociator i votuar nga Kuvendi i Kosovës.

Dy të parat, sipas tij, mund të bëhen në legjislaturën aktuale, e dy pikat e fundit pas zgjedhjeve të parakohshme.