Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Arc de Tromphe, për të përkujtuar 100-vjetorin e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore.
Presidenti francez Emmanuel Macron, dhe personalitete të shumta marshuan në Varrezën e Ushtarit të Panjohur, në shi e nën çadra të zeza, ndërsa kambanat e kishave kumbonin nëpër qytet, përcjell KTV.
Duke iu adresuar mbi 70 liderëve botërorë në Paris, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, dhe presidentin rus Vladimir Putin, Macroni bëri thirrje që të luftojnë për paqe.
“Le të ndërtojmë shpresë në vend të frikës ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.
Në një fjalim i cili zgjati rreth 20 minuta, lideri francez u ka bërë thirrje homologëve të tij që të mos i harrojnë mësimet e së kaluarës. Ai e përshkroi nacionalizmin si tradhti ndaj patriotizmit.
Ceremonia përkujtimore përfundoi me një bori e cila u lëshua në orën 11, që sinjalizon fundin e armiqësisë në Frontin Perëndimor më 11 nëntor 1918.
Rreth 9.7 milionë ushtarë dhe 10 milionë civilë vdiqën në Luftën e Parë Botërore, e cila zgjati nga viti 1914 deri më 1918.
Ndërkaq, pak përpara se udhëheqësit të mblidheshin, një protestuese e zhveshur ka vrapuar prapa vargut të veturave në të cilën ndodhej presidenti Trump.
Gruaja është anëtare e grupit feminist Femen, me bazë në Paris, i cili njihet për protesta të shumta kundër seksizmit, racizmit, homofobisë dhe çështjeve të tjera sociale dhe politike.
Trumpi gjatë ditës, kishte anuluar vizitën e planifikuar në varrezat e amerikanëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore, me arsyetimin se moti është me shi, për çka u kritikua shumë.
Ceremoni përkujtimore u mbajtën në mbarë botën për ta shënuar 100-vjetorin e armëpushimit.
Në Australi ceremonia u zhvillua në Memorialin e Luftës Kombëtare në Canberra, ndërsa në Adelaide një aeroplan hodhi në ajër mijëra letra me ngjyrë të kuqe.
Ndërkohë, në Britani të Madhe, një seri ngjarjesh të veçanta u mbajtën për ta shënuar fundin e konfliktit katër-vjeçar.
-
11 nëntor 2018 20:12
-
Shpërndaje në: