Video

Qindra pjesëmarrës përkrahën idenë për bashkimin e Luginës me Kosovën

Ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkimin e Luginës me Kosovën, po përkrahet fuqishëm nga përfaqësues të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Kjo u bë e ditur të shtunën, kur dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqatës “Çamëria” kanë marrë pjesë në “Marshin për Bashkim” të Luginës me Kosovën, raporton KTV.

Përfaqësuesi i mërgatës nga Zvicra, Fadil Selmani, e ka quajtur të qëlluar iniciativën e presidentit të Kosovës për bashkim të territoreve.

Ndërkaq, Ragmi Mustafa, përfaqësues i Luginës së Preshevës, ka kërkuar që të hiqet taksa prej 10% për bizneset e shqiptarëve në Serbi, pasi sipas tij, kjo i dëmton shqiptarët e Luginës dhe bizneset e tyre.

Nexhmi Muçiqi, nga shoqata “Çamëria” në Kosovë, është shprehur se bashkimi i Kosovës me Luginën do të thotë angazhim i shtuar për bashkim me troje të tjera shqiptare.

Sipas kryetarit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, nuk ka rrugë tjetër, përveç bashkimit të Luginës me Kosovën.

Me flamurin kombëtar në dorë, nisja e “Marshit për Bashkim” u bë nga biblioteka kombëtare “Pjetër Bogdani” deri në sheshin “Skënderbeu”.

Pjesëmarrësit e tjerë mbanin banerë me mbishkrime: “Luginë Shqipëria është me ju”; “Luginë Kosova është me ju”; “Luginë Ilirida është me ju”; “Luginë Çamëria është me ju”, e të ngjashme.