Serbët pyesin deputetët: Si të bashkëpunohet me NATO-n e ku të rreshtohen në rast të luftës Kosovë – Serbi

09 nëntor 2018 19:14

Tre ish-komandantët e luftës kanë shkuar në Çagllavicë për t’i bindur serbët se ushtria e Kosovës është garancia e tyre për një të ardhme të sigurt.

Tashmë deputetët e Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, Rexhep Selimi dhe Fatmir Xhelili, për dy orë u janë përgjigjur pyetjeve të shtruara nga të rinjtë serbë për projektligjet, me të cilat FSK-ja mandatohet në Ushtri të Kosovës, raporton KTV.

Të rinjtë serbë kanë pyetur se si të bëhen pjesë e FSK-së dhe të bashkëpunojnë me NATO-n, kur dihet fakti se NATO-ja e ka bombarduar Serbinë në të kaluarën?

Ka tillë që mendojnë se në të ardhmen mund të ketë sërish një luftë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, andaj dilemën e kanë se kah do të rreshtoheshin?

“Nëse vije deri tek lufta në mes Kosovës e Serbisë larg qoftë çka do të duhet të bëjnë këta serbë që janë pjesë e kësaj force çfarë funksione do të kenë ata”, ka qenë njëra prej pyetjeve.

Kësaj pyetje i janë përgjigjur Rexhep Selimi e Haxhi Shala.

Të rinjtë serbë kanë qenë kureshtarë të dinë se nga kush janë kërcënuar serbët e larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, se si do të shtrihet kjo forcë në pjesët e banuara me këtë minoritet dhe se cilat janë procedurat për t’u bërë pjesë e saj.

Kryetari i këtij komisioni, Haxhi Shala, ka bërë të ditur se deri tash janë 300 kërkesa të serbëve për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.


“Është vetëm fillimi i procesit të krijimit të ushtrisë respektivisht marrjes së udhëzimeve. Së paku 10 vjet do të duheshin derisa FSK të bëhet ushtri e plotë. kështu që kur të shkojë në dëgjim të dytë kurdo që të ndodh kjo në janar, shkurt ose më vonë duhet të kalojë nëpër të gjitha komisionet dhe duhet dhënë miratimin për këtë. Asgjë e keqe nuk do të ndodhë”, ka thënë Shala.

Deputeti Rexhep Selimi i ka kritikuar përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës, pasi, sipas tij, nuk po e bëjnë punën në përputhje me mandatin që ua kanë dhënë qytetarët.

Anëtarët e Komisionit sqaruan se përmes këtyre tri ligjeve, parashihet që brenda 10 vjetësh, ta bëjnë FSK-në forcë që do të mbrojë integritetin territorial dhe do të jetë forcë multi-etnike e hapur për të gjithë.
 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme