Thaçi optimist për marrëveshje, opozita kundërshton në Facebook

09 nëntor 2018 19:06

Presidentin Hashim Thaçi, e premtja e ka zbardhur në kryeqytetin e Francës, Paris, pas takimit të një dite më herët në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka marrë pjesë në promovimin e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës,” shkruar nga ish-këshilltari i Bernard Kouchner, Jacques Baudoin.

Për marrëveshjen me Serbinë, Thaçi është shprehur se sheh dritë në fund të tunelit, pavarësisht vështirësive, raporton KTV.

Në rast të marrëveshjes, përveç njohjes nga Serbia dhe 5 shteteve të BE-së që ende nuk kanë bërë një gjë të tillë, Thaçi, në shaka, duke iu drejtuar ish-ministrit të jashtëm francez, Kouchner, ka përmendur edhe zëvendësimin e rezolutës 1244.

Por, partitë opozitare në Kosovë kanë kundërshtuar fuqishëm në Facebook shkuarjen e Thaçit në Bruksel për t’u takuar me Vuçiqin.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur për një opozitë të bashkuar, teksa ka akuzuar Kryeministrin Haradinaj se, duke u marrë me punë të brendshme dhe interesa të ngushta, e ka sjellë vendin në gjendjen më të keqe në dekadën e pavarësisë.

“Skena politike duhet të jetë e unifikuar në veprime, e jo vetëm në deklarime, për ta ndalur Thaçin të hyjë në pazare për Kosovën. Opozita sot është e unifikuar në veprime. AAK dhe Nisma duhet të tregojnë vendosmëri për ta ndalur Thaçin përmes Kuvendit duke e mbështetur rezolutën e opozitës. Ndryshe, qytetarët do ta ndalin atë përmes shprehjes se refuzimit masiv, por atëherë AAK dhe Nisma do ta bartin përgjegjësinë para qytetarëve njësoj sikurse PDK”, ka thënë Hoti.

Derisa, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Presidentin Thaçi e ka quajtur një kolaboracionist që po i ndihmon Serbisë ta marrë veriun e vendit, e Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli një ndihmës të tij.

“Sot, më 9 nëntor, janë bërë katër muaj prejse qeveria na e solli në Kuvend raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Mirëpo, Kryetari i Kuvendit dhe veglat e tij në kryesi aty, nuk e dëshirojnë shqyrtimin dhe vlerësimin e dialogut 2011-2017, marrëveshjet e bëra dhe rezultatet e tyre. Që prej 9 korrikut 2018, ai nuk do që ta fusë në agjendë parlamentare e ta sjellë në seancë plenare këtë raport të qeverisë. Ky kryeparlamentar është kolaboracionist i kolaboracionistit”, ka thënë Kurti.

Angazhim urgjent të Kuvendit në mandatimin e ekipit negociues dhe draftim të platformës për bisedime, ka kërkuar Kryetari i Prishtinës, njëherësh kryetar i PSD-së, Shpend Ahmeti.

“Në kohën kur Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive, e Thaçi gjithnjë më jolegjitim e jotransparent, duhet urgjentisht ta vendosim procesin në binarë demokratikë e institucionalë. Takim të katërt të tillë nuk duhet të ketë!”, ka thënë Ahmeti.

Përndryshe, në njoftimin pas takimit të të dy presidentëve, bëhet e ditur se përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini, ka theksuar nevojën për një ambient të përshtatshëm për dialogun, duke kërkuar përmbajtje në fjalor, veprime e masa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme