Britania e Madhe është kundër idesë për korrigjimin e kufijve

08 nëntor 2018 19:12

Për rreth një orë, Ambasadori ka bashkëbiseduar me qytetarë të Kosovës duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre për aktualitetin politik në vend.

Ai nuk ka përtuar të përgjigjet në pothuajse të gjitha pyetjet, raporton KTV.

Ambasadori O’Conell, gjatë bashkëbisedimit, ka thënë se disa shtete e kanë tërhequr njohjen për Kosovën.

Me këtë deklaratë, Ambasadori e ka përgënjeshtruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila një ditë më parë tha se lajmet e mediave serbe për tërheqje të njohjeve për shtetësinë e Kosovës janë lajme të rreme.

“Fatkeqësisht, disa vende i kanë tërhequr njohjet e tyre për Kosovën. Nuk mendojmë që ka ndonjë justifikim për këto veprime. Kosova i përmbush të gjitha kriteret për të qenë një shtet i pavarur, ne e kemi pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar O’Connell.

Britania e Madhe është kundër shkëmbimit të territoreve, pavarësisht që, sipas diplomatit të saj në Kosovë, shtetet duhet ta kenë një normalizim marrëdhëniesh.

“Pse po pyetni kur e dini qëndrimin e Britanisë. Pozita jonë nuk ka ndryshuar që nga viti 2005,” ka qenë përgjigja e tij, kur është pyetur se a e përkrah idenë e Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh.

Ai, disa herë gjatë kësaj ore, e ka përsëritur rolin e Ambasadës Britanike në emërimin e personave në pozita të larta nëpër institucionet publike.

“Ne nuk bëjmë emërime. Ne financojmë një kompani të pavarur britanike që të zhvillojë procese të pavarura të bazuara në meritë. Këto procese japin së paku 3 kandidatë të cilët janë të kualifikuar. Ne rastin e Drejtorit Gjeneral te KEK-ut, procesi ka treguar se z. Thaçi ka qene kandidati më i kualifikuar dhe Qeveria e ka emëruar atë”.

Kur britaniku pyetet se çka mendon në lidhje me faktin se nëse klasa politike e Kosovës, tash e 20 vite, po tallet me popullin, ai përgjigjet në këtë mënyrë:

“Kjo nuk është pyetje për një diplomat. Kjo është një pyetje për qytetarin e Kosovës. Ti duhet ta diskutosh këtë me shokët e tu, me familjen, kolegët, shokët e klasës. Gjëja më e keqe do të ishte nëse njerëzit mendojnë se kjo është një pyetje për diplomatët. Nuk është për ne, absolutisht është për ju”.

Pranimi nga ana e liderëve të Kosovës se liberalizimi mund të shtyhet sërish, ka shtyrë qytetarët që t’i drejtohen diplomatik britanik për këtë çështje.

Shtetet anëtare të Schengenit duan luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe për investime të mundshme nga Britania e Madhe.

“Ata duan një ambient të sigurt ligjor. Do të thotë, ata duan gjykata që punojnë, duan të mos ketë korrupsion, duan të kenë profit. Këto janë pengesat më të mëdha për investime. Është me rëndësi që qytetarët e Kosovës e dinë këtë. Nëse nuk ka rritje ekonomike është sepse njerëzit brengosen për paratë e tyre. Zgjidheni problemin e korrupsionit e të gjykatave dhe të shpresojmë që bëhet mirë. “

O’Conell u është përgjigjur edhe pyetjeve për ekipin e tij të preferuar të futbollit, Evertonin, e madje ka dhënë edhe sugjerime se si duhet aplikuar për t’u bërë shtetas i Anglisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme