Video

Kërkohen dorëheqje apo shkarkime pas skandalit rreth familjarëve të shefit të AKI-së

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shkarkimin e krerëve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Reagimi i kësaj partie përmes një konference për media, ka ardhur pasi u gjetën armë e substanca narkotike në veturën e babait të shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit, e të cilën po e voziste djali i këtij të fundit, raporton KTV.

Deputeti Rexhep Selimi, tha se rasti “Maxhuni”, është shembulli më i mirë i kapjes së shtetit.

Sipas tij, raste të tilla po ua kujtojnë qytetarëve se shteti është krejtësisht i kapur.

Selimi tha se emërimet në institucionet e drejtësisë kanë krijuar një situatë ku krerët e shtetit kanë ndarë këto institucione si tortën e pushtetit, duke u dakorduar se cili ta mbajë në kontroll AKI-në, cili Policinë e cili Prokurorinë e Shtetit.

Ai tha se institucionet e drejtësisë në vend janë dirigjuar nga lart për ta fshehur krimin.

Selimi ka shtuar se ka Kosova ka nevojë të menjëhershme për reforma në drejtësi dhe institucionet e sigurisë.

Ngjarja e ndaljes nga Policia të djalit të Shpend Maxhunit, kishte ndodhur të premten e kaluar në Prishtinë, derisa policia e kishte përcjellë kallëzimin penal në Prokurori vetëm pas interesimit të Kohës Ditore për rastin.