Video

Debati i sotëm në Kuvend, me akuza për Blakajn e sulme ndaj Selimit dhe Vetëvendosjes

Seanca e mbetur në gjysmë për mungesë kuorumi, të enjten, ka vazhduar këtë të premte por vazhdimisht është përballur me të njëjtin problem.

Ndryshe nga LDK-ja, që nuk ishte fare në sallë plenare, Vetëvendosje ishte aty dhe insistonte të hidhej në votim plotësim ndryshimi i Kodit Penal, raporton KTV.

Kur kërkesa e tyre nuk u mor parasysh, ata e lëshuan sallën.

Diskutimi ka vazhduar për plotësim ndryshimin e Ligjit për Komisionet Hetimore, e debat u bë edhe për ish-prokurorin Elez Blakaj, ani pse kjo nuk ishte tema e diskutimit.

Për veteranët dhe vlerat e UÇK-së u fol edhe kur nga PDK-ja u iniciua projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Folën shumë për rëndësinë e këtij projektligji, por të pranishëm në sallë ishin hiq më shumë se 20 deputetë.

I vetmi që u kthye në sallë nga Vetëvendosje ishte deputeti Rexhep Selimi, i cili u sulmua ashpër nga partitë në pushtet.

Projektligji nuk arriti të dilte fare në votim, në mungesë kuorumi.