Si i “arsyeton” Haradinaj 20 mijë dollarët e shpenzuar kot në New-York

17 October 2018 19:06

20 mijë dollarë të taksapaguesve kosovarë kanë shkuar huq, pas dështimit të Qeverisë së Kosovës për të takuar delegacionet e shteteve pjesëmarrëse gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton KTV.

Qeveria kishte rezervuar një sallë në Hotelin “Hilton”, për të takuar delegacione të ndryshme.

Siç raporton “Koha Ditore”, rezervimi i kësaj salle kishte kushtuar rreth 50 mijë dollarë, por meqë ishte anuluar kjo ngjarje, hoteli kishte ndalur koston e sigurisë 20 mijë dollarë.

Kryeministri Haradinaj, thotë se ishte ide e tij dhe e Qeverisë që të bëhej një takim i përbashkët, por më pas kanë hequr dorë, ngase askush nuk e ka pranuar ftesën. Haradinaj ka pranuar këtë shpenzim të parave, duke u arsyetuar se kur nuk je në vendin tënd, ngjarjet e tilla edhe mund të dështojnë. I pyetur për këtë nga KTV-ja, Haradinaj ka pranuar se mijëra dollarë shpenzohen në planet diplomatike dhe se shumë prej tyre nuk e arrijnë cakun e synuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme