FSK-ja mund të shndërrohet në forcë mono-etnike me largimin e 51 serbëve

14 tetor 2018 08:36

Në 51 ka shkuar numri i pjesëtarëve të dorëhequr të komunitetit serb nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ky numër mund të rritet sipas njohësve të kësaj fushe, raporton KTV.

Labinot Greiçevci nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, thotë se numri i pjesëtarëve serbë në FSK mund të bie në zero.

Sipas Greiçevcit, qëllimi i Beogradit është që FSK-ja në sytë e ndërkombëtarëve të duket si forcë mono-etnike e jo multi-etnike

Ndërsa, nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës thonë se ndiejnë keqardhje për largimin e këtyre pjesëtarëve, pasi kanë qenë të detyruar të largohen.

Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, Ibrahim Shala, ndonëse nuk e përjashton mundësinë e një vale tjetër të largimeve, thotë se vitin e ardhshëm do të hapet konkursi për rekrutë të rinj.

Rreth 130 pjesëtarë të FSK-së apo 5.5 për qind e gjithë Forcës, i përkasin komunitetit serb.

Megjithatë, muajin e kaluar Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend tri projektligje, të cilat i japin mandat ushtarak FSK-së, ndërsa emri i Forcës për një kohë do të mbetet i njëjtë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme