Video

Publikimi i listave të “veteranëve të rremë” shkakton mjegull në hetimin e rastit

Emrat e mbi 20 mijë personave që Prokuroria Speciale pretendon se janë veteranë të rremë kanë vërshuar faqet e portaleve vetëm dy ditë pasi aktakuza u dorëzua në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shumë nga njerëzit e dëshmuar në luftë i gjetën emrat e tyre në këto lista dhe kjo ishte arsye që i ka shqetësuar organizatat e dala nga lufta, raporton KTV.

Ndërkohë, Haradinaj ka treguar se tashmë kanë dërguar edhe avokatin në Prokurorinë Speciale, për të kuptuar të vërtetën e publikimi të listave pa pasur një vendim gjyqësore.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, ka mohuar se listat rrodhën nga Prokuroria, derisa ka refuzuar të prononcohet për media.

Më vonë, Prokuroria është sqaruar përmes një komunikate, ku ka lënë të hapur mundësinë e korrigjimit të listave.

“Nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do t’i propozohet Gjykatës që, në bazë të dokumentacionit të rishikuar, ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”, është thënë në një përgjigje nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Tutje, prokuroria ka sqaruar edhe pretendimet e Blakajt, i cili deklaroi se janë shtuar 2 mijë emra të rinj qëkur ai e ka dorëzuar aktakuzën që e kishte ndërtuar.

“Rritja e numrit të përfituesve është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, ku prokurori ka konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteranë luftëtarë të UÇK-së, siç është përcaktuar me ligj. Gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilëve janë plotësuar dhe nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka dashur të komentojë lidhur me publikimin e listave të veteranëve të rrejshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë vetëm “Rroftë UÇK-ja” dhe është larguar më pas.