Video

Një prokuror i tretë pritet ta marrë lëndën “Veteranët e rremë”

Prokuroria Speciale nuk po arrin të rehatohet me lëndën e veteranëve .

Lënda më e përfolur në vend, në dy muajt e fundit, do të kalojë në dorën e një prokurori të tretë.

Aktakuza ndaj Agim Çekut, Rrustem Berishës e 10 eprorëve të lartë të UÇK-së , nuk do të përfaqësohet nga prokurori që i zhvilloi hetimet Elez Blakaj, e as nga prokurori Afrim Shefkiu, i cili e dorëzoi këtë lëndë një ditë më parë në gjykatë, raporton KTV.

Lënda më e komentuar pritet të përfaqësohet nga një prokuror i ri.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, përmes telefonit, ka konfirmuar se kjo lëndë pritet t’i ndahet njërit prej prokurorëve të rinj, që së fundi kjo prokurori ka marrë në punë.

Ai ka thënë se nga e hëna, 4 prokurorë të rinj do të nisin punën në Prokurorinë Speciale dhe sipas radhës, pritet që njërit prej këtyre prokurorëve t’i ndahet kjo lëndë, pa dhënë detaje të tjera.

E ndonëse disa herë kryeministri Ramush Haradinaj ishte përkujdesur që ta quante “hajn të pulave dhe rrenc” prokurorin, i cili përpiloi aktakuzën ndaj veteranëve, një ditë pas u dorëzua kjo aktakuzë në gjykatë, Haradinaj ka vendosur të heshtë.

E, për këtë aktakuzë, nuk kanë folur as vetë personat e përfshirë në të.

KTV-ja ka tentuar të vë kontakt me shumicën e 12 ish-anëtarëve që kishin qenë pjesë e Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit , por asnjëri prej tyre nuk e kanë hapur telefonin.

Sipas kësaj aktakuze, është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumën prej rreth 68 milionë eurosh.