Video

Qeveria lavdërohet për 1 vit punë, opozita e shoqëria civile ia numërojnë dështimet e skandalet

Është bërë 1 vit qëkur Ramush Haradinaj arriti të bëhej për herë të dytë kryeministër.

Haradinaj vazhdon të krenohet me udhëheqjen e kabinetit më të madh qeveritar në historinë e Kosovës, duke e quajtur qeverisje dinamike dhe të vendimeve të mëdha, raporton KTV.

Opozita e cilëson këtë qeverisje të dobët, me shumë skandale, shpërndarje të paarsyeshme të parave dhe për rritjen e pagave 100 përqind vetes dhe kabinetit qeveritar.

Në tremujorin e qeverisjes Haradinaj, e përkrahur edhe nga partia e tij, u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

Në mesin e vendimeve të kësaj qeverie, është edhe pagesa e 53 milionë eurove kompanisë Bechtel Enka, për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Opozita do të kërkojë rrëzimin e qeverisë, edhe përmes protestave.

Haradinaj, sa ishte në opozitë, ishte kundërshtar i ashpër i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, por 6 muaj në krye të ekzekutivit bëri që të ndryshojë mendje dhe të ratifikohet në Kuvend.

Në raport me dialogun me Serbinë, Haradinaj kritikohet nga shoqëria civile për mosushtrim të kompetencave të tij, duke ia lënë presidentit udhëheqjen e dialogut.

Pavarësisht këtyre kritikave, zyrtarët qeveritarë insistojnë se qeverisja Haradinaj është më e suksesshmja.

Përveç numrit të madh të kabinetit qeveritar, në kabinetin Haradinaj vazhdojnë punën dy ministra të akuzuar për keqpërdorim detyre.