Për ta ndaluar presidentin Hashim Thaçi, që të negociojë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për territorin e Kosovës, opozita do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Takimi i radhës Thaçi-Vuçiq, do të mbahet më 7 shtator në Bruksel. Në këtë takim, presidenti Thaçi ka thënë se do të diskutohet edhe për korrigjim të kufijve.
Para datës 7 shtator, partitë opozitare do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në këtë seancë do të propozohet rezoluta me një pikë të vetme të rendit të ditës, se askush nuk ka mandat që të negociojë për territorin e Kosovës.
Ai ka thënë se opozita është e bashkuar për ta ndaluar presidentin Thaçi që të negociojë me Serbinë për territorin e vendit.
Për thirrjen e kësaj seance është pajtuar edhe Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, ka deklaruar se presidenti Thaçi po e rrezikon sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të caktojë ekipin negociator për dialogun dhe personin që do t’i prijë këtij procesi.
Opozita është shprehur se do të kërkojë mbështetje nga grupet parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, pasi, sipas opozitës, këto parti janë deklaruar kundër idesë për ndryshim të kufijve.
Në forumin Alpbach, që u mbajt në Austri, presidenti Thaçi ka thënë se korrigjimi i kufijve do të jetë temë diskutimi në dialogun Kosovë-Serbi.
-
27 gusht 2018 21:15
-
Shpërndaje në: