Video

Serbët gjithnjë e më të interesuar për t’u bërë policë të Kosovës

Të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për një interesim të shtuar të komunitetit serb për t’u bërë pjesë e saj.

Analistët serbë në Kosovë thonë se kjo nuk është e rastësishme, kurse Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, përveç mirëqenies sociale si arsye, konsideron se disa procese politike kanë ndikuar që komuniteti serb të integrohet më lehtë në këtë institucion se sa në institucionet e tjera të Republikës së Kosovës.

Mbi 800 serbë të Kosovës kanë shprehur interesim që të bëhen e pjesë e Policisë së Kosovës. Nga ky numër, siç transmeton Radio Kosova, 432 prej tyre që kanë konkurruar janë nga 4 komunat veriore të vendit, ndërsa prin Mitrovica e Veriut e pasuar nga Leposaviqi. Këtë e konfirmon edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

“Jashtëzakonisht më shumë se sa kemi pritur, më shumë se sa kemi planifikuar, si proces edhe na ka shkaktuar këto vonesa, për shkak të konkurrencës dhe interesimit tepër të madh të atyre që dëshirojnë të veshin uniformën e zyrtarëve policorë”, tha Gashi.

Ndonëse aspekti social në vend nuk përjashtohet si arsye që mund të ketë joshur të rinjtë serbë për t’u bërë policë. Analisti serb, Lubomir Stanojkoviq, thotë se kjo nuk është e rastësishme. Ai, dyshimet i hedh duke thënë se në njërën anë kemi pjesëtarë serbë të cilët largohen nga FSK-ja dhe në anën tjetër rritet interesimi për policinë.

“Shikoni, jemi dëshmitarë të faktit se në njërën anë është shtuar numri i aplikimeve për të punuar në Policinë e Kosovës, e në anën tjetër në mënyrë masive po i lëshojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës. Këtu ka një arsye, nuk është veç rastësisht kjo, se pse në situatën në të cilën ndodhet Kosova, është vështirë të gjendet punë, edhe nëse punon në sektorin privat nuk e ke të sigurt se sa do zgjasë ai vend pune, prandaj të gjithë po përpiqen që të punojnë në sektorin publik. E njëri prej vendeve të punës, që është më së shumti i kërkuar, që është më atraktiv dhe interesant dhe sigurisht edhe me i pranuar për të rinjtë, e sidomos të komunitetit serb, është puna në Policinë e Kosovës”, tha Stanojkoiq

Kurse kryetari i Partisë Serbe Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, thotë se presioni për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, erdhi vetëm për t’i zëvendësuar me serbët të cilët vijnë nga komunat veriore. Madje Rashiq thotë se institucionet e Kosovës, pavarësisht kritereve të një konkursi, favorizojnë serbët nga veriu i vendit.

“Çfarë janë qëllimet në këtë moment unë mundem vetëm të supozoj. Nuk jam i sigurt se çfarë qëllimesh apo çfarë benefite mund të ketë ndonjë politikan ose ndonjë parti politike duke përjashtuar një numër të madh të serbëve të cilat kanë jetuar në situatë të rëndë financiare dhe tash pas largimit nga puna kjo edhe më shumë i komplikon gjërat, e në veçanti për serbët e jugut. Unë mund të supozoj si njeri, si politikan, si një njeri që jeton në jugun e Kosovës, që kjo bëhet vetëm për shkak se siç po më duket ne serbët e jugut i pengojmë Beogradit dhe Prishtinës. Pra, ne jemi serbët e askujt dhe aty është problemi kryesor që me neve ose serbët e jugut manipulohet në formën ekstreme dhe në formën ku jemi përgjegjës për të gjitha anët, për të gjitha palët brenda procesit”, tha Rashiq.

Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Policia e Kosovës megjithatë është institucioni në të cilin integrimi i pjesëtarëve serbë është më i lehtë dhe kjo falë disa zhvillimeve politike.

“Dihet që ka pasur një integrim më të lehtë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës edhe si rrjedhojë e disa zhvillimeve politike, siç është formimi i drejtorisë rajonale për polici të Kosovës në veri të vendit. Sigurisht kjo ka ndikuar, dhe ky interesim po vazhdon ende edhe në konkursin e fundit të shpallur nga PK. Kjo tregon se institucionet e Kosovës janë të hapura për familjet e të gjitha komuniteteve nga radhët e tyre, dhe kjo ndoshta është edhe arsyeja më e fortë për interesin e komunitetit serb në konkursin e Policisë së Kosovës, tha Avdiu.

Sidoqoftë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bejtush Gashi, garantoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të jetë transparent dhe sipas meritave. Ndryshe, numri i kandidatëve nga komuniteti serb i gjinisë femërore që do t’i hyjnë garës në polici, është tre herë më i ultë se sa ai i meshkujve.