Video

Shkallët e viteve të ’80-a në lagjen “Bregu i Diellit” janë kthyer në rrezik për banorët

Këto shkallë janë ndërtuar në vitet e 80-a.

Që atëherë, askush nuk mban mend nëse janë riparuar ndër vite, raporton KTV.

Vitet i kanë gërryer ato dhe tashmë janë bërë gati të pakalueshme.

Derisa verës është vështirë të ecet mbi to, dimrit shndërrohen në një pistë të vogël skijimi.

Banorët e kësaj pjese të lagjes “Bregu i Diellit” ankohen në komunën që nuk ka bërë kurrfarë investimi në infrastrukturë.

Ndihen të rrezikuar të ecin në këto shkallë që i lidhin këto objekte me rrugën kryesore. Shpesh duhet të shkojnë rrotull për t’u kyçur në rrugë.

Të moshuarit dhe fëmijët e kanë edhe më rrezik kalimin, ndërsa shumë shpesh lagjja ka marrë premtime për investime në to.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, e cila deri tash nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë problem, përmes telefonit i ka thënë KTV-së se është bërë planprogrami për të filluar punimet në lagjen “Bregu i Diellit”.

Sipas mundësive, thonë se problemet me shkallët do të kryhen së shpejti.

Komuna aktualisht po pret të mbarojnë shkallët në lagjen Arbëria, të nisura në muajin mars.