Video

Rundi i ri i takimeve ribashkuese mes familjarëve nga të dyja Koretë

Familjarë nga Koreja Jugore ishin mbledhur te kompleksi kufitar, një ditë para takimit me të afërmit nga Koreja Veriore, shumë prej të cilëve nuk ishin takuar që nga Lufta Koreane e viteve 1950-1953.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur për këtë takim do të marrin pjesë në një seancë edukative dhe një kontroll rutinor të shëndetit para se të kalojnë kufirin të hënën në mëngjes, kur edhe fillon udhëtimi treditor, raporton KTV.

Më shumë se 57,000 jug-koreanë, kryesisht mes moshës 80 dhe 90-vjeç, janë lajmëruar me shpresën se do të përzgjidheshin për një takim të shkurtër me më të dashurit e tyre.

Lee Soo-Nam, 76 vjeç nga Koreja Jugore, do ta takojë vëllanë e tij në Korenë Veriore.

“Ai është i moshuar, prandaj unë dua t’i shpreh atij mirënjohjen që ka qenë gjallë për kaq kohë të gjatë. Kjo është një gjë për të cilën duhet të jemi falënderues”, ka thënë Soo-Nam.

Para nisjes, shumë familje jug-koreane po fotografohen, në mënyrë që t’u dërgohen për kujtim familjarëve në Korenë Veriore.

Ata madje edhe këmbenin paratë në dollarë, të cilat do t’ua dërgojnë të afërmve që do t’i takojnë.

91-vjeçarja, Moon Hyun-Sook, e cila do ta takojë motrën e saj më të vogël në Korenë Veriore, shprehet me ndjenja të përziera para ngjarjes së veçantë për të.

“Unë jam 90-vjeçare dhe nuk e di se kur do të vdes. Jam shumë e lumtur që jam përzgjedhur këtë radhë për ribashkimin familjar. Jam duke fluturuar nga gëzimi. Jam shumë mirënjohëse”, ka thënë Hyun-Sook.

Sipas Kryqit të Kuq, katër jug-koreanë kishin anuluar udhëtimin për në Korenë e Veriut në çastin e fundit për arsye shëndetësore.

Mjek në Spitalin e Kryqit të Kuq, Seul

“Shumica e pjesëmarrësve janë të moshuar dhe disa prej tyre vuajnë nga hipertensioni, diabeti dhe probleme të tjera shëndetësore. Para ribashkimit, ne po e kontrollojmë në detaje gjendjen e tyre shëndetësore, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në ngjarjet e planifikuara”, ka thënë Han Sang-Jo, mjek në Spitalin e Kryqit të Kuq në Seul.

93 jug-koreanë dhe 88 veri-koreanë janë përzgjedhur për një raund të ri të ribashkimit, i cili fillon të hënën në Malin Kumgang në Korenë Veriore, në një kompleks turistik të zonës.