Video

Krejt çka ndodhi në përleshjen e aktivistëve të VV-së me Policinë sot në Prishtinë

Aksioni simbolik i Vetëvendosjes me të cilin kundërshtuan dhunën ndaj grave, ka përfunduar me 8 të arrestuar.

Aktivistë të Lëvizjes kanë hedhur ngjyrë të kuqe në objektin e policisë, e aty nuk shpëtuan as vetë policët, raporton KTV.

Shumë vështirë e pati ky polic që fillimisht u gjend i vetëm para kësaj situate, derisa atij i erdhën përforcime.

Por, lehtë nuk e patën as kolegët e tij, meqë hasën në rezistencë të aktivistëve.

Aty u desh edhe ndihma e Njësisë speciale.

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka thënë se policia po arreston aktivistët që kundërshtojnë dhunën e po mbrojnë vrasësit e grave e fëmijëve.

Por, sapo Bogujevci e përfundoi deklaratën e saj para gazetarëve, ajo u arrestua nga policia duke u tërhequr zvarrë deri brenda objektit.

Përveç Bogujevcit, nën pranga përfunduan edhe Rinë Zhitia, Arta Berisha, Elona Kurti, Diellëz Arifi, Patrik Domi, Çlirim Gërbeshi e Atdhe Arifi.

Policia e Kosovës thotë se nga ky aksion u lënduan 10 policë, 5 nga të cilët sipas komunikatës, janë dërguar për tretman të mëtutjeshëm në QKUK.

Ndërkohë, 7 aktivistëve të Vetëvendosjes u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, derisa deputetja Saranda Bogujevci, është liruar.