Video

Detajet për hetimin e listave të veteranëve, nga dorëheqja e Blakajt te shifra alarmante e Lumezit

Për rreth 80 persona që i kishin falsifikuar vërtetimet e Zyrës së Qeverisë për Veteranët, duke tentuar të përfitojnë pensionin prej 170 eurosh, kishte raportuar KTV-ja pak kohë më parë.

Megjithatë, ky numër po del të jetë tmerrësisht i vogël krahasuar me shifrën që ka dhënë kryeprokurori Aleksandër Lumezi, duke folur për hetimin e prokurorit Elez Blakaj lidhur me listat e veteranëve.

Lumezi i ka thënë Evropës së Lirë se janë siguruar prova për hiq më pak se 19 mijë persona, që në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar benefitet që ua ka dhënë komisioni për veteranë dhe invalidë të luftës.

Prokurori Blakaj i kishte intervistuar të gjithë anëtarët e komisionit në cilësinë e të dyshuarve dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar për KTV-në edhe Agim Çeku, tani zëvendësministër i FSK-së, por që nuk ka shprehur interes të flasë më shumë për temën.

I vetmi që ka pranuar të flasë ka qenë Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, që ishte i fundit anëtar i komisionit që ishte marrë në pyetje nga Blakaj, që është shprehur i befasuar me emrin e tij të përmendur në mesin e të akuzuarve.

“Vendimet që janë marrë janë vendime të përbashkëta nga Komisioni, por prapë po e them, çështja e verifikimit të veteranëve ka qenë në kompetencë të plotë të komandantëve dhe vartësve”, ka thënë Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.

Megjithatë, edhe kryeprokurori i shtetit, Lumezi, dhe ai i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, kanë bërë të ditur se ende nuk ka aktakuzë të ngritur ndaj këtyre personave.

Derisa është bërë publike përmbajtja e letrës së dorëheqjes së prokurorit Blakaj, ku ai sqaron se aktakuzën ia ka përcjellë Millakut, ky i fundit thotë se ajo kishte për t’u plotësuar.

“Blakaj e ka sjellë aktakuzën për të parë nëse është në rregull, nëse duhet të plotësohet apo të hiqet diçka. Jemi pajtuar që aktakuza të plotësohet. Ai është pajtuar dhe ka thënë se është ‘në rregull, por se këtë do ta bëjë pas pushimit’. Pastaj, me datën 13 të këtij muaji, është dashur që ta fillojë punën dhe nuk është paraqitur”, ka thënë Reshat Millaku, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Lidhur me dorëheqjen e Blakajt, në Interaktiv, ka folur edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Isufaj i ka bërë thirrje tani ish-prokurorit Blakaj të deklarohet për arsyet e dorëheqjes, derisa ky i fundit ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media.

Blakaj, në letrën e dorëheqjes, përveç që ka falënderuar kolegët për bashkëpunim, ka njoftuar se aktivitetin e tij do ta vazhdojë jashtë sistemit prokurorial, përfshirë edhe jashtë vendit.