Video

Pas dy vjetësh QKUK pritet të bëhet me Spitalin e Pediatrisë

Brenda 22 muajve pritet që QKUK-ja të bëhet me Spitalin e Pediatrisë, gurthemeli i të cilit ishte vënë qysh në vitin 2016, raporton KTV.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se janë bërë përpjekje maksimale që të përshpejtohen procedurat për ndërtimin e këtij spitali. Ministri Ismaili ka folur edhe lidhur me një rast të vdekjes së një pacienti, tri ditë më parë në QKUK.

Qysh në mars të vitit 2016, ishte vënë gurthemeli për ndërtimin e Spitalit Pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, donacion ky i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Por që nga atëherë dolën shumë pengesa, të cilat zvarritën ndërtimin e këtij spitali.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, po pretendon se me përpjekjet e tij ka bërë që procedurat për ndërtimin e këtij spitali t’i përshpejtojë dhe ta zhbllokojë këtë proces.

Ismaili ka folur edhe për rastin e fundit që ndodhi në QKUK, ku një i ri ndërroi jetë pas një intervenimi në QKUK e ku pati akuza për neglizhencë nga ana e mjekëve.

Mirëpo, ministri Ismaili tha se nuk mund të bëjë asgjë rreth emërimit të fundit të zëvendësministrit të Shëndetësisë, Agim Çaka, i cili në vitin 2014 ishte dënuar nga AKPM-ja, pasi ai kishte një barnatore të palicencuar.

Ismaili ka thënë se ky është emërim politik, andaj kjo çështje nuk i takon atij.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Agim Çaka, i cili ka pranuar se ishte gjobitur me 7 mijë euro nga ana e AKPM-së në vitin 2014.

Çaka ka thënë se barnatorja e tij ishte e licencuar por në procesin e rilicencimit, për shkak të mosplotësimit të disa procedurave dhe problemeve që ishin atëkohë në AKPM, ai ishte gjobitur, vendim ky me të cilin Çaka ka thënë se nuk ishte pajtuar.

Çaka më tutje ka thënë se pas marrjes së detyrës si zëvendësministër i Shëndetësisë, po merret me shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve në sektorin farmaceutik, pasi që kjo pikërisht lidhet me fushën e tij.