Video

Analistët besojnë se kriza e lirës turke u shkaktua si rezultat i tensioneve politike

Në Samitin e NATO-s, i cili u mbajt më 11 korrik, presidenti amerikan Trump dhe homologu i tij turk, Erdogan, biseduan privatisht për çështjen e lirimit të dy personave.

Bëhet fjalë për Ebru Ozkan, e burgosur mbi pretendimet për lidhje me Hamasin në Izrael, dhe Andrew Brunsonin, një pastor nga Karolina e Veriut, raporton KTV.

Pastori amerikan që një kohë të gjatë jeton në Turqi, vend në të cilin akuzohet se ka ndihmuar në organizimet për ta rrëzuar Erdoganin nga pushteti përmes grusht-shtetit.

“The Guardian” raporton se Erdogani i kërkoi ndihmë Trumpit për gruan e burgosur në Izrael.

Trumpi i kishte thënë se dëshironte tërheqjen e palës turke kundrejt pastorit fillimisht.

Dhe, kur Erdogani ia dha miratimin, ai nënkuptoi se në Turqi do të punohej për këtë çështje.

Derisa shtetasja turke u lirua nga Izraeli, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Erdogan nuk e liroi pastorin amerikan.

Sipas të përditshmes britanike, Trumpi ka ngatërruar një proces me një marrëveshje.

Përndryshe, pastori Brunson u burgos në tetor të vitit 2016, tre muaj pas përpjekjes së dështuar për grusht-shtet.

Lira turke ra me 9 për qind të hënën, ndërkohë që euro arriti pikën më të ulët brenda një viti.

E, kjo ka bërë që investitorët t’i frikësohen faktit se kriza financiare turke mund të përhapet në tregjet evropiane.

Tregjet aziatike të bursave pësuan gjithashtu rënie.

Euro ka humbur 0.3 për qind të vlerës dhe ka prekur nivelin më të ulët njëvjeçar kundrejt dollarit amerikan.

Kjo pasi rënia e lirës turke nxiti kërkesën për valuta të sigurta.

Për krizën e lirës turke kanë reaguar disa politikanë evropianë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se vendi i saj e dëshiron një Turqi që zhvillohet ekonomikisht dhe se kjo gjë është në interesin e tyre.

E, së fundmi, Rusia ka bërë të ditur se synon përdorimin e valutave kombëtare në tregtinë me Turqinë, në vend të dollarit apo euros.