Video

Marrëveshja për Tregti të Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë tash 6 vjet në sirtarin e presidentit

Në shtator të këtij viti, bëhen më shumë se 6 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për Tregti të Lirë mes Kosovës dhe Turqisë.

Por, marrëveshja vazhdon të mbetet jofunksionale, si pasojë e mosmiratimit nga ana e presidentit të vendit, raporton KTV.

Marrëveshja u mundëson bizneseve kosovare eksport në Turqi pa pagesë të taksës doganore.

Ndërsa, bizneset turke mund t’i eksportojnë produktet e tyre në tregun tonë, duke iu shmangur gradualisht taksës doganore për një periudhë 10-vjeçare.

Naim Gashi, ekspert i zhvillimeve ekonomike thotë se arka e shtetit nuk mund të ketë rrezik nga kjo marrëveshje dhe konsumatori do të jetë përfituesi kryesor.

Por, në Odën Ekonomike Amerikane besojnë se kapacitetet e mëdha të bizneseve turke do të mund t’i dëmtojnë ato vendore.

“Marrëveshja herët apo vonë do të nënshkruhet. Por, ne jemi kundër saj, meqë edhe bizneset, që nga fillimi, kanë pasur qëndrim kundër. Potenciali i bizneseve në Turqi është shumë i madh duke e krahasuar me atë vendor, prandaj, pavarësisht lehtësirave, prej 10 vjetësh, bizneset sërish mund të rrezikohen nga konkurrenca e madhe. Ne kemi pasur kontakte me zyrën e presidentit, por ende as ne nuk e dimë qëndrimin e tyre për këtë marrëveshje”, ka thënë Visar Hapçiu, udhëheqës i Instituti të Odës Amerikane.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje për qëndrimin e presidentit, Hashim Thaçi, mirëpo tash e dhjetë ditë, askush nga presidenca nuk ka qenë i gatshëm të deklarohet.

Turqia mbetet një prej konkurrentëve kryesorë me produkte në vendin tonë.

Të dhënat e doganës flasin për vazhdim të trendit të rritjes së importeve nga ky vend.