Vëllai i Valbonës thotë se Policia e dinte se Nrecaj sillej me armë, me marsh kërkohet drejtësi

10 gusht 2018 19:05

Drejtësi për nënën dhe motrën e vrarë nga babai të premten kanë kërkuar katër fëmijët e Valbona Nrecajt dhe vëllezërit e saj.

Me bluza që përcjellin mesazhe për drejtësi, familja e viktimës, e shoqëruar nga pjesëtarë të shoqërisë civile, ka marshuar nga gjykata te çarshia e qytetit, duke përfunduar te policia, nga e cila ka kërkuar përgjegjësi për vrasjen e Valbonës dhe shumë të tjera si ky rast i dhunës në familje, raporton KTV.

Vëllai i viktimës tha se policia kishte qenë në dijeni se Pjetër Nrecaj sillej me armë tash e një kohë por nuk i ofroi mbrojtje, meqë ajo ishte shtetase e Shqipërisë.

Gjatë marshimit, fëmija më i vogël i viktimës për ca minuta është përlotur, derisa të tjerëve iu ofrua ujë dhe mbështetje për ta kaluar këtë situatë.

Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, tha se fajtorët kryesorë për këtë vrasje janë institucionet e Kosovës, të cilat dështuan t’iu ofrojnë mbrojtje viktimave.

Në ditët e sotme, sipas Jahjagës, gratë nuk janë të sigurta as në familjet e tyre.

Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që të ndalet “zgërdhirja”, siç e ka quajtur ajo, e policëve, sa herë iu shkon një grua e rrahur nga burri.

Këtu u kërkua burgim i përjetshëm për vrasjen e dyfishtë dhe sjellje para drejtësisë e atyre që nuk i ofruan ndihmë viktimës.

Me parulla të cilat u vunë në rrethojat e policisë, marshi i protestave përfundoi para objektit të policisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme