Video

Në kujtim të Bacës Adem

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit të shquar dhe ish të burgosurit politik nga regjimi serb, Adem Demaçi.

Gjatë këtyre ditëve, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore, brenda dhe jashtë vendit, e i ndjeri do të varroset me nderime shtetërore.

“Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta”, ka shkruar kryeparlamentari Veseli në Facebook.

Ngushëllime familjes Demaçi i ka dërguar edhe kryeministri Haradinaj, i cili ka thënë se rezistenca dhe kontributi i tij do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja se si duhet të punohet për vendin, transmeton KTV.

“Kontributi dhe sakrifica e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, në kohërat më të vështira për Kosovën, ishin frymëzim dhe guxim për arritjen e synimeve të qytetarëve për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës", thuhet në letrën ngushëlluese.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes Demaçi si dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo ka thënë se Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë.

Edhe Vetëvendosje e ka quajtur Demaçin veprimtar që nuk u dorëzua e as nuk u thye kurrë, megjithëse sot është më e pranishme se kurrë flaka e atdhedashurisë dhe idealit që ai e ka ndezur.

Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, i cili ka shkuar në shtëpinë e të ndjerit, ka thënë se është e vështirë të përthekohet vepra e tij. Sipas tij, sot ka vdekur një epokë, ka shkuar një histori.

Të trishtë e ka quajtur lajmin e vdekjes së tij edhe Limaj.

“Do ta kujtojmë gjithmonë rezistencën dhe sakrificën tënde. Baca Adem kishte një jetë plot sfida e sakrifica për kombin shqiptar,” ka shkruar Limaj.

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi ka thënë se Demaçi, siç në këtë jetë besoi se jeta e liria nuk kanë kufij, tashmë po gjurmon përcaktimet e reja të lirisë, të asaj lirie ku nuk duhet vetëflijimi i tij monumental.

Mesazhe të shumta ngushëllimi për familjen Demaçi ka pasur nga Maqedonia, Shqipëria dhe më larg.

Shkrimtari Ismail Kadare ka dërguar mesazh ngushëllimi me bashkëshorten.

“Të tronditur si rrallë herë në jetë, ju dërgojmë ngushëllimet tona për humbjen e Ademit të shtrenjtë, mikut të pazëvendësueshëm, të domosdoshëm si rrallëkush për ne dhe për kombin”, thuhet në ngushëllimin e çiftit Kadare.

Edi Rama e ka cilësuar Demaçin si rebel të llojit më të rrallë.

“Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë. Pas një jete prej stuhie pambarim, ai u tret ngadalë e iku si zotnia që i tha të gjitha #RESPEKT”, ka shkruar ai.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Albena Reshitaj, pas ngushëllimeve që ka dërguar, ka propozuar bust në qendër të Prishtinës për Demaçin.

Gjithashtu, ajo ka thënë se Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës duhet të quhet me emrin e tij.