Video

I vështirë parashikohet edhe takimi i radhës Thaçi – Vuçiq, i konfirmuar për shtator

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të ketë një takim tjetër të vështirë me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, sërish në shtator.

Kështu e ka vlerësuar takimin zyra e tij në Prishtinë, derisa atë e ka konfirmuar për koha.net zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, Maja Kocijançiq, raporton KTV.

E deri në shtator zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, thotë se ka kohë që Kosova të formojë grupin e unitetit.

Me gjithë kundërshtimet e opozitës që presidenti Thaçi të udhëheqë me dialogun, Limaj thotë se në këtë proces pushteti e opozita duhet të bëhen bashkë.

Shefi i kabinetit të Presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë për Koha.net se çdo takim në kuadër të dialogut me shtetin serb është i vështirë.

“Çdo takim në kuadër të dialogut në nivelin më të lartë politik gjithmonë është i vështirë për shkak se diskutohen çështje komplekse. Kështu do të jetë derisa nuk arrihet marrëveshja përfundimtare dhe derisa nuk ndodh pajtimi reciprok ndërmjet dy shteteve dhe popujve”, ka thënë Çollaku.

Ndërkohë, deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan, Greg Delawie, i cili refuzoi të mohonte mundësinë se në takimet e radhës në Bruksel do të diskutohet edhe për çështjen e territoreve, presidenti nuk i ka komentuar, megjithëse kanë ngjallur reagime në vend.

Thaçi ka insistuar se marrëveshja me Serbinë do të arrihet vetëm me njohjen reciproke të dy shteteve.