Video

Studentët, me protestë kërkojnë përfundimin e objektit të fakultetit të Bujqësisë, i nisur më 2013

Ka 5 vjet që objekti i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë ka nisur të ndërtohet, por që punimet tash e një kohë, janë ndërprerë.

Për këtë, studentët e këtij fakulteti dhe organizata studentore Reforma, me një aksion simbolik, para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar transparencë, raporton KTV.

Ata gjithashtu kanë kërkuar përfundim të punimeve në ndërtimin e këtij objekti, në mënyrë që të jetë gati për vitin e ri akademik në shtator.

Studentët kanë akuzuar rektoratin dhe institucionet e vendit për ndërprerjen e ndërtimit të objektit të ri, të këtij fakulteti.

Image

Ata kërkuan nga rektorati dhe MASHT-i, të tregojnë se kur do të rifillojnë punimet në këtë objekt.

Objekti i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë ka filluar të ndërtohet në korrik të vitit 2013, për t’u ndërprerë më pas. Ndërkohë, studentët ndjekin mësimet në objektin e vjetër.

KTV-ja ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe rektoratin e Universitetit të Prishtinës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje për këtë çështje.