Video

Avramopoulos: Kosova ka qenë 1 km larg liberalizimit, tash vetëm 100 metra

Pas një dekadë pritjeje, Kosova ka zgjidhur nyjën kryesore për të bërë përpara në procesin e liberalizimit të vizave, raporton KTV.

Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, ka thënë se nëse para dy vjetësh Kosova ka qenë 1 kilometër larg liberalizimit, tani është vetëm 100 metra.

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka kumtuar lajmin e shumëpritur për kosovarët.

Avramopoulos ka thënë se nëse para dy vjetësh, shteti i fundit me regjim vizash, Kosova, ishte 1 kilometër larg liberalizimit, tani është vetëm 100 metra.

“Pas shumë vjetësh e muajsh të përpjekjeve dhe punës së madhe, Komisioni Evropian tashmë konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Tash, ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtet shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt”.

Avramopoulos tha se tani Kosova mund të llogarisë në ndihmën e tij. Përmendi se nga ky vendim përfitojnë shumë qytetarë të Kosovës por përmendi edhe mekanizmat e suspendimit, të cilat vlejnë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kosova duhet të vazhdojë edhe më tutje që të sigurojë qëndrueshmëri, prandaj puna duhet të ketë vazhdimësi. Ka pasur bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të BE-së. Liberalizimi vjen me të drejta por edhe me obligime. Politika jonë nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e lëvizjes së lirë, kemi një autoritet që është aprovuar së voni që e mbikëqyr lëvizjen e lirë”.

Si meritë e punës së lodhshme disavjeçare e jo dhuratë, e ka parë këtë lajm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi shpreson për procedim në hapa të radhës në muajt shtator e tetor.

Avramopoulus tha se Bashkimi Evropian nuk është për “kufij të mbyllur”.

Procedurat e radhës priten në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit për dialogun midis Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.