Kufizimi i ndihmës sociale përkeqëson gjendjen e familjeve në nevojë

17 korrik 2018 19:16

Avokati i Popullit ka rekomanduar që të hiqet kufizimi i moshës pesëvjeçare për marrjen e ndihmës sociale dhe të ngritët në moshën 18-vjeçare, raporton KTV .

Sipas këtij institucioni, kufizimi i tillë vetëm sa ka përkeqësuar gjendjen e familjeve në nevojë në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ka thënë nëpërmjet telefonit se të mërkurën do ta ngritin këtë çështje në mbledhjen e komisionit, ku pritet të raportojë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ministri Skënder Reçica, në parim, i mbështet rekomandimet e Avokatit të Popullit. Megjithatë, ka thënë se ndryshimet për skemat sociale pritet të ndodhin pas përfundimit të një hulumtimi që janë duke e bërë në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Përfitues të ndihmave sociale në Kosovë janë mbi 25 mijë familje. Shuma minimale është 60 euro, ndërkaq maksimalja 180 euro, që bazohet në numrin e anëtarëve të një familjeje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme