“Minatorët: Nëse nuk na plotësohen kërkesat tona, do të vijmë të vdesim para Kuvendit”

12 korrik 2018 19:18

Derisa minatorët e Trepçës po vazhdojnë grevën e tyre në kombinatin Trepça, në mbështetje atyre u ka dalë Shoqata e minatorëve pensionistë e invalidë të Kosovës .

Të enjten dhjetëra pensionistë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që të realizohen kërkesat e parashtruara nga grevistët e kombinatit Trepça.

E kreu i BSPK-së, Avni Ajdini, ka kërkuar që zyrtarët e Qeverisë të shkojnë në Trepçë për t’u takuar me grevistët.

Janë bërë 4 ditë që minatorët po kërkojnë të takohen me zyrtarë të Qeverisë dhe vetë kryeministrin Ramush Haradinaj, e ky i fundit ka vendosur që vetëm nëpërmjet një konference për media të shprehë përkrahjen e tij ndaj kërkesave të minatorëve.

Minatorët e Trepçës po kërkojnë ndryshime në draft-statutin e kombinatit Trepça, e cila nuk përfshin vendburimet përreth Trepçës dhe të gjitha zonat e interesit të Trepçës.

Minatorët, gjithashtu, po kërkojnë që t’u njihet përvoja e punës, sigurime shëndetësore, si dhe pensioni të jetë 70 % e pagës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme