Video

Shtyhet për në shtator rigjykimi për rastin Antigona Morina

Rigjykimi në rastin e Antigona Morinës, e cila vdiq nga hemorragjia e vazhdueshme tri ditë pas martesës, është shtyrë për në shtator, raporton KTV.

Shkak i shtyrjes së seancës gjyqësore, e cila ishte paraparë të mbahej të mërkurën, u bë greva e punëtorëve administrativë të gjykatave.

Prezentë në gjykatën e Rahovecit ishte vetëm pala e dëmtuar, ndërkaq ka munguar prokurori dhe i pandehuri, ish-bashkëshorti i Antigonës, Hilmi Zena, i cili akuzohet për shkelje të detyrimeve familjare.

Derisa brenda në gjykatë, gjyqtarja e rastit Ilirjana Hoti, konstatoi shtyrjen e seancës jashtë këtij objekti, familjarët bashkë me Rrjetin e Grave të Kosovës kanë protestuar. Me pankarta në duar “Drejtësi për Antigonën”, ky rrjet ka kërkuar dënimin e të akuzuarit.

Sipas Igballe Rogovës, gjykata duhet të japë dënimin e merituar e jo ta shpallë të pafajshëm Hilmi Zenën ,sikurse në shkallën e parë. Antigona Morina vdiq 6 vjet më parë, tri ditë pasi u martua, derisa burri nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, por e kishte dërguar te shehu.