Video

“Çdo marrëveshje e nënshkruar nga Thaçi mund të jetë vetëm e tij”

Të vështirë por inkurajues, e ka cilësuar takimin e së dielës Thaçi-Vuçiq për fazën finale të dialogut, ndërmjetësuesja e këtij procesi, Federica Mogherini.

Për këtë çështje, ajo është përgjigjur shkurt, para se të niste takimin me ministrat e Jashtëm të BE-së.

“Dje kam pasur një takim shumë të mirë të nivelit të lartë të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që gjithashtu po ec në drejtim inkurajues, shumë të vështirë por inkurajues. Ballkani Perëndimor tani ka nevojë për qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Mogherini.

Pavarësisht se tashmë është zhvilluar takimi Thaçi-Vuçiq për fazën e fundit të dialogut, LDK-ja vlerëson se presidenti nuk ka autorizim për të negociuar në emër të Kosovës.

Kjo parti thotë se çdo marrëveshje që do të nënshkruajë Thaçi në Bruksel mund të jetë vetëm ujdi e tij private por jo në emër të Kosovës.

Përveç LDK-së, edhe partia tjetër opozitare, Vetëvendosje, kundërshton që presidenti Thaçi të jetë prijës i këtij procesi.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se para se të ketë marrëveshje me Kosovën, qytetarët do të pyeten përmes referendumit.

“Ky është mesazh shumë i rëndësishëm për serbët në Kosovë dhe për qytetarët e Serbisë. Shtrohet pyetja: Ç’të bëhet nëse gjatë verës dikush niset për ta pushtuar veriun e Kosovës? Cila do të ishte përgjigjja jonë? A do të ishte përgjigjja ushtarake apo do të kishim aksione dëbimi sikur në Kroaci dikur. Politika e Serbisë duhet të jetë shumë më përgjegjëse nga politika e viteve të 90-ta”, ka thënë Vuçiq.

Të dielën, dy presidentët Thaçi e Vuçiq u takuan në Bruksel për fazën e fundit të dialogut. Të dyja palët janë pajtuar që të ketë shtim të takimeve gjatë muajve të ardhshëm.