Ligji për familjen, çështja problematike dhe pengesë për parandalimin e dhunës

25 qershor 2018 13:48

Zbatimi dhe keqinterpretimi i ligjeve në Kosovë, veçanërisht i Ligjit për familjen, mbetet çështje problematike dhe pengesë në parandalimin e dhunës. Kështu u tha në tryezën “Si ta parandalojmë dhunën ekonomike?”, organizuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, raporton TV Arta.

Luljeta Aliu, nga kjo Iniciativë, ka thënë se përveç dhunës fizike, problem mbetet edhe ajo ekonomike e institucionale. Sipas saj, institucionet shumë shpesh refuzojnë të merren me dhunën ekonomike me arsyetimin se nuk janë hetues. Aliu deklaroi se dhuna ekonomike është thelbi i dhunës në familje.

Ndërsa, Mexhide Mjaku-Topalli, kryetare e Grupit të Grave Deputete, tha se dhuna është duke ndikuar në diskriminimin e grave.

Mbështetëse e iniciativës për ndryshimin e Ligjit për familjen është edhe Ambasada zvicerane. Zv.ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anita Schluchter Roth, pohoi se çështja e grave duhet të shihet si problem më i gjerë. Sipas saj, ligjet në Kosovë janë të mira, mirëpo problem mbetet zbatueshmëria e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme