Ndërtimi i Xhamisë në Prishtinë po merr kohë më shumë seç pritej, BIK-u s’ka aplikuar ende për leje

25 qershor 2018 08:01

Kanë kaluar gati 6 vjet prej se është vendosur gurthemeli për Xhaminë Qendrore në Prishtinë por puna për ndërtimin e saj nuk ka filluar ende.

Hapësira që ishte planifikuar për këtë xhami vazhdon të shfrytëzohet si parking nga PTK-ja.

Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka kthyer një përgjigje se kur do të fillojë të ndërtohet objekti në fjalë, raporton KTV.

Zyrtarë të BIK-ut, përmes telefonit, i kanë thënë KTV-së se nuk kanë çfarë të deklarohen para kamerës, derisa qëndrimi i tyre lidhur me ndërtimin e xhamisë është i njëjti me atë çfarë ka deklaruar ditë më parë kryeimami Naim Tërnava. Tërnava, gjatë festës së Bajramit, kishte thënë se projekti dhe buxheti për ndërtimin e xhamisë janë gati.

Por në Komunën e Prishtinës thonë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka aplikuar ende për leje. Ka kërkuar leje vetëm për kushtet ndërtimore, që i prin lejes për ndërtim.

Zyrtarët e saj deklarojnë se në momentin që do të aplikojnë, kërkesa menjëherë do të shqyrtohet.

Plani i Xhamisë ishte kundërshtuar nga Komuna e Prishtinës, pasi nuk i kishte plotësuar kushtet ndërtimore.

KTV-ja jozyrtarisht merr vesh se Bashkësia Islame është duke e përshtatur projektin me kushtet ndërtimore dhe se nuk do të ketë lokale, ashtu siç ishte paraparë në projekt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme