Reagimet pas vdekjes së basketbollistit Sinani

23 qershor 2018 23:50

Për ndarjen nga jeta të basketbollistit Gazmend Sinani, kanë reaguar shumë sportdashës nga vendi.

Federata e Basketbollit të Kosovës në një njoftim në faqen zyrtare ka shkruar për 27-vjeçarin Sinani, i cili e humbi jetën në një aksident rrugor, raporton “Sporti në KTV”.

“Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani, miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme. Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak, do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e FBK-së.

Reagime të menjëhershme pati edhe nga klubet basketbollistike të Kosovës.

“Pusho i qetë, Kampion! Me pikëllim të madh morëm lajmin e hidhur se ish-lojtari i akademisë sonë, i cili dha kontribut të papërshkrueshëm në fitore të shumta të titujve të kampionit, Gazmend Sinani, tragjikisht ndërroi jetë mbrëmë në Gjakovë”, shkruan KB Prishtina në Facebook.

“Prehu në paqe Gazi. Bordi i KB Rahovecit, por edhe mbarë opinioni është shokuar me vdekjen e basketbollistit tonë dhe të përfaqësueses së Kosovës, Gazmend Sinani, në një aksident trafiku. Bordi i KB Rahoveci, por edhe i tërë qyteti i shpreh ngushëllime familjes Sinani në këto momente të rënda për humbjen e hershme të familjarit të tyre. Gazi, për skuadrën tonë ka zhvilluar katër ndeshje gjatë pjesës së parë të sezonit të kaluar, derisa ishte basketbollist kyç në forcimin e pozitës që na dërgoi në Play-Off. Humbje e madhe për Kosovën dhe basketbollin. Prehu në paqe Gazi!”, shkruhet në postimin e KB Rahovecit.

Golden Eagle Ylli reagoi, gjithashtu duke i shprehur ngushëllime familjes Sinanin për ndarjen nga jeta të Gazit.

Edhe Klubi Basketbollistik, Borea, ka shprehur ngushëllime të përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme.

“Shumë e vështirë të të themi lamtumirë! Faleminderit për kujtimet dhe përkrahjen që ma ke bo. Zemra jote e madhe ka me mbet gjithmonë në kujtimet e mia. Kosova ka humbur një sportist të madh. Pusho i qetë vëlla!”, ishin fjalët e Dardan Berishës.

Basketbollisti tjetër, Gëzim Morina, shkruan: “Faleminderit për të gjitha, faleminderit për zemrën e madhe që e pate! Do të më mungosh, shoku im....”.

Për vdekjen e Sinanit ka shkruar edhe ish-trajneri i tij te Prishtina, Antonis Constantinides.
“Pusho në paqe Gazmend. Ka qenë nder për mua të punoj me ty”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe trajnerët Fidan Shatri e Dritëro Sefaja kanë shkruar për të në rrjetet sociale.

Për ndarjen nga jeta të Gazmendit në Twitter ka reaguar edhe Liga Britanike e Basketbollit.

“Jemi shumë të mërzitur për marrjen e lajmit të largimit nga jeta të basketbollistit të Kosovës, Gazmend Sinani, 27-vjeçar. Sinani e udhëhoqi “British Basketball League” me 11 kërcime për ndeshje në “Leeds Force”. Prehu në paqe”, shkruan faqja BBL në Twitter.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës në Twitter.

Një tjetër ngushëllim për familjarët dhe të afërmit e Sinanit vjen nga Federata e Basketbollit të Polonisë, ndaj së cilës Kosova do të luajë më 1 korrik.

Kosova më 28 qershor do të përballet edhe me Hungarinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme