Zi në Basketbollin e Kosovës

23 qershor 2018 19:56

Basketbolli dhe sporti i Kosovës është në zi, pasi të shtunën në orët e hershme të mëngjesit, në një aksident rrugor në Gjakovë, ka humbur jetën basketbollisti i Kosovës, Gazmend Sinani.

Në po të njëjtin aksident, lëndime trupore kanë pësuar edhe vëllezërit Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i Përfaqësueses së Kosovës, Kujtim Shala.

27-vjeçari Sinani që festoi ditëlindjen e 27-të, grupmoshat e reja i kaloi në Prishtinë, ndërsa më pas karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe përfaqësueseve të grupmoshave të reja turke.

Në karrierën e tij në Kosovë është paraqitur me fanellën e Prishtinës, Bashkimit e Rahovecit.

Ai, po ashtu, luajti në ligën elite në Angli në edicionin 2017/18.

Sinani ka qenë anëtar i ekipit të Basketbollit të Kosovës, që nga pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 18:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Grupi KOHA, në veçanti redaksia e Sportit në KTV, i shpreh ngushëllime familjes Sinani për humbjen e djalit, basketbollistit të veçantë siç ishte Gazmendi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme