Video

Haradinaj nis një mandat të ri në krye të AAK-së me asnjë kundërkandidat e asnjë votë kundër

Pa kundërkandidatë e asnjë votë kundër, Ramush Haradinaj, është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Për dallim nga mandatet e kaluara, i riu për kryetarin dhe kryesinë do të jetë jo tre, por katër vjeçar – bazuar në ndryshimet e statutit që u votuan para zgjedhjes së tij, raporton KTV.

I njëjti statut u anashkalua kur mbi 500 delegatët i dhanë mbështetje propozimit të Ardian Gjinit që kryetari të zgjidhet me votë të hapur, e jo të fshehtë, siç parashihet me këtë dokument, duke përshpejtuar procesin e rikonfirmimit të kryetarit.

Derisa foli për aspiratat euroatlantike të Kosovës, i pari i Aleancës, tha se atdhe-dashuria në këtë subjekt i ngjan asaj të Rilindësve.

Ndërsa renditi një varg, të atyre që i quajti suksese të Qeverisë së tij, pa bërë zhurmë.

Megjithatë, ai nuk foli për rritjen e pagës së tij, e as për 53 milionët që iu dhanë Bechtel Enkas.

Duke marrë shembull nga futbolli, kërkoi më shumë punë ekipore në mandatin e ri.

Për dialogun me Serbinë, të cilin Haradinaj nuk e përmendi në fjalimin e tij, foli mysafiri nga PDK-ja, Enver Hoxhaj.

Ky tha se Kosova ka nevojë për qartësi strategjike në përmbylljen procesin e shtet-ndërtimit, duke shtuar se askush nuk mund të ndalë anëtarësimin vendit në OKB.

Nga këtu, Hoxhaj tha se është mirë që partitë po merren me zgjedhje të brendshme, sepse të tjera nuk do të ketë – duke shtuar se mandati i Qeverisë do të jetë i plotë.