Via Balcanica

Miodrag Perunoviq- mburoja dhe shpata

Miodrag Perunoviq - njëri nga boksierët më të mirë të Jugosllavisë së dikurshme, kampion i Evropës dhe nënkampion i botës, sportisti më i mirë i ish-shtetit të përbashkët, legjendë e ringut - sot është një 62-vjeçar vital.

Dorëzat nuk i vë shpesh, por kur e bën këtë tregon forcën e goditjes, teknikën e lëvizjes dhe përkujton se çfarë kampioni ishte. E ishte një mrekulli prej boksieri. Edhe jetën e ka kaluar në këtë sallë, ia ka kushtuar “artit fisnik”, që, siç thotë, e ka mësuar për jetën.

“Këtu jam lindur, jo vetëm si sportist, por edhe si personalitet, sepse këtu kam nisur si 14-vjeçar, kur kam nisur të stërvitem për boks. Këtu klan filluar edhe t’i njoh botën dhe njerëzit, të njoh dhe formoj bazën e atyre kontakteve dhe përjetimeve që m’i ka sjellë e mundësuar boksi, ndërsa unë e kam formuar personalitetin dhe karakterin tim”, ka thënë Sync Miodrag Perunoviq, ish-boksier dhe sportisti më i mirë i Jugosllavisë më 1979.

Si bëhet njeriu boksier, luftëtar, si shndërrohet dëshira njerëzore për garë në dëshirë për garë në një hapësirë prej së cilës nuk ka tërheqje, të cilën e braktis ose me mburojë, ose mbi të.

“Megjithatë, do të thosha se ky është produkt i imagjinatës fëmijërore dhe atyre lojërave në fëmijëri e ëndërrimeve që një ditë të bëhem i madh, i fuqishëm dhe i njohur, pothuaj se një lloj kalorësi, i cili i magjeps të gjithë”, ka thënë ai.

E ka ndjekur edhe rrugën e vëllait më të vjetër, Draganit, po ashtu një boksier i njohur malazez, i cili më herët kishte nisur të merrej me këtë sport.

“Është interesante që Dragani ka qenë kundër kësaj. Nëna nuk është përzier. Baba, për fat të keq, nuk kam. Babai im vdiq dy muaj para lindjes sime. Nuk kam pasur rast që ta njoh. Që thonë: “fëmija është babai i njeriut dhe ai fëmijë është rritur në lumin e Cërnojeviqëve, në kushte modeste, shumë modeste, pa baba, në njëfarë mënyre i vetvetes dhe imagjinatës së vet, dëshirave, ëndrrave...”, ka thënë Prunoviq.

Për sukses, thotë Perunoviqi, më të rëndësishmet janë dëshira dhe përkushtimi për cakun.

“Kam pasur talent, kam dashur shumë të mësoj, të përparoj, t’i arrij të gjitha që janë në boks, t’i bëj ato e t’i realizoj. Më kujtohet, si fëmijë, para pasqyrës imitoja në atë kohë Kasius Klejin, më vonë Muhamed Alinë, vallëzimin e tij, madje edhe grimasat, derisa boksonte...”, ka shtuar ai

Nuk ka mundur të jetë kampion në kategorinë e rëndë, por po në atë velter dhe atë gjysmë të rëndë.

Potenciali i tij shpejt është vërejtur në konkurrencën e ashpër të boksit jugosllav, ndërsa testin e parë e ka pasur në skenën më të madhe – në Kampionatin Botëror në Beograd më 1978. I ka pasur veç 20 vjet.

I riu nga Titogradi i atëhershëm, në mënyrë sensacionale, ka arritur deri në finale ku është mposhtur nga Valerij Raçkov, në një atmosferë që nuk mbahet në mend në arenat e boksit në këto anë.

“Ai raport i publikut ndaj meje, ajo lidhje që u vendos mes publikut dhe meje në atë kampionat botëror, ndoshta nuk është modeste të thuhet por vërtet kurrë nuk kam përjetuar dhe nuk kam parë që ka një fluid të tillë, që ekziston një lidhje e tillë me sportistin...”, është shprehur ai.

E argjendta botërore nga Beogradi, përkrahja e adhuruesve dhe gjithë vendit, njohja se ka arritur majën, Perunoviqit i kanë dhënë motiv shtesë që të bëhet edhe më i mirë.

Vetëm një vit më vonë, në Kampionatin Evropian në Koln, erdhi momenti të cilin djaloshi nga lumi i Cërnojeviqëve, që para pasqyrës e imitonte Muhamed Alinë, e ka ëndërruar...

Lufta e jetës, lufta për të artën kundër Viktor Savçenkos, kampionit të pakontestuar në kategorinë gjysmë të rëndë, ukrainasit nën flamurin sovjetik...

‘Tani është vështirë të flitet për atë, posaçërisht të rinjtë nuk e dinë, por kishte një famë aq të madhe rreth Savçenkos, sikur që më vonë në boksin profesionist do të bëhej rreth Majk Tajsonit. Njeriu që i nokautonte të gjithë”, ka thënë ai.

“Selektori i atëhershëm i reprezentacionit të Jugosllavisë, Toma Hladni, në ditën e betejave finale, derisa unë pushoja në dhomën time dhe përgatitesha psikikisht për meçin, hyri në dhomë tek unë dhe më tha: ‘A e di çka, Perun? Ne folëm diçka në shtabin e ekspertëve dhe mjekëve dhe do ishte mirë që të dorëzohemi, mos të dalësh në ring, por të themi se e ke lënduar dorën, do të marrësh një vërtetim të mjekut’. Unë po e shikoj: ‘Nuk vjen në konsiderim’. ‘Po jo, je i ri, ke të argjendtën nga Kampionati botëror, ja tani do kesh edhe të argjendtën nga Evropiani, kjo mjafton, ka kohë për ty...’. Ama, i thashë: ‘Nuk më shkon mendja aty, nuk dua axha Tomë’. Unë u hidhërova dhe ai e pa e më tha: ‘Po, e kam ditur që Peruni nuk do të dojë’. Edhe unë atëherë sinqerisht kam menduar se do të jem i nokautuar”, ka shtuar ai.

Kjo nuk ishte betejë vetëm me një kundërshtar të fuqishëm, por edhe me vetveten.

“E kisha atë tipar, Zoti ma ka dhënë atë karakter që pa marrë parasysh rrezikun që kërcënon unë bëj çka mundem më së miri. Unë përpiqem deri sa nuk ndodh çka duhet të ndodhë. Ajo frikë mua nuk më pengonte që ta bëja gjithë atë që mundem. Dhe kjo është baza e asaj fitoreje dhe fitoreve të tilla”, është shprehur Perunoviq.

Titulli i kampionit evropian, fitorja ndaj të pamposhtshmit dhe ajo pas të argjendtës botërore, Perunoviqit ia sollën njohjen më të madhe – më 1979 u zgjodh sportisti më i mirë në ish-Jugosllavi. E kanë zgjedhur me votim laureatët e deriatëhershëm, në mesin e të cilëve disa ikona sportive si: Parlovi, Beneshi, Dalipagiqi, Xhajiqi, Cerari...

“Në atë kuptim, konsideroj që ajo njohje dhe titulli i sportistit më të mirë të Jugosllavisë për vitin 1979 janë të arriturat e mia më të mëdha sportive”, ka thënë ai.

Pasi që më 1981 e fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin evropian në Tampere, me disfatën në finale, ku luftoi me brinjë të thyer, përjetoi dëshpërimin e parë...

“Unë vij në Podgoricë, mua nuk më thirri askush prej klubit, as prej komunës, e as prej institucioneve të sportit, që të më uronin. Të gjithë ishin të zhgënjyer pse nuk u bëra sërish kampion i Evropës. Madje, 4-5 ditë isha në spital, sepse kisha dhimbje të mëdha dhe isha në kontrolle. Askush nuk më vizitoi. Askush, asgjë... Mua kjo më dëshpëroi shumë, isha i mllefosur, madje mora vendim që të mos boksoja më, ta ndërpritja karrierën”, ka thënë ai.

Ai, megjithatë, e mori një vendim që do t’ia ndryshonte jetën: kaloi në boksin profesionist. Rreth 40 vjet më vonë e pranon se ka gabuar dhe se karrierën amatore e ka përfunduar shumë herët.

“Në boksin profesionist mund të jesh më i miri në botë, por nëse nuk i ke njerëzit e duhur rreth teje për të ndihmuar që të arrish rastin për ta realizuar këtë, kot e ke”, ka shtuar ai.

Tetë vjet i janë dashur që si boksier nga Evropa Lindore, edhe pse me reputacion prej kampioni në boksin amator, të vijë deri te ndeshja për një titull të rëndësishëm. Dhe e fitoi brezin e kampionit interkontinental në versionin IBF, me fitore ndaj gjermanit Andreas Proks. Fitoi duke përdorur vetëm dorën e majtë, sepse të djathtën e kishte të lënduar.

Para meçit mendoj çka të bëj, si të boksoj me një dorë kundër kampionit të Gjermanisë. Megjithatë, nuk ishte ai një boksier kot. Çka të bëj, përgatis taktikën – dhe atëherë më erdhi. Dorën e djathtë do ta përdor si mburojë, ndërsa e majta le të jetë shpata.

Dhe kështu u krijua libri Mburoja dhe shpata. Autori Miodrag Perunoviq. Talenti tij tjetër, me vite i panjohur dhe i fshehur, “shpërtheu” kur i vari dorëzat në mur. Ky është, si tha, roman për boksin, rrëfim për ngritjet dhe rëniet, rrëfim për jetën e tij, por edhe për të gjitha jetët.

“Unë fare nuk e konsideroj e as nuk e shoh veten si shkrimtar dhe nuk dua se do ishte jomodeste të them se jam, por mund të them, e di, sërish do jetë modesti e rrejshme, nëse do thosha që nuk di dhe nuk ndiej dhe shoh sipas reagimeve të njerëzve që mjaft bukur shkruaj, të them ashtu”, ka thënë ai.

Në libër janë përmbledhur kujtimet dhe ndjenjat e tij, por edhe nostalgjia për kohët e shkuara.

“Jam nostalgjik, por njëkohësisht jam edhe krejt i vetëdijshëm, i gatshëm dhe i aftë që në secilën ditë të përballem me sy të hapur dhe të luftoj në mënyrën më të mirë”, ka thënë ai.