Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Hallet e një pacienti

Ky mund të duket se është një rrëfim për gishtërinjtë, kryesisht të trashë dhe për vështirësitë për t’u ulur. Mirëpo, më parë është një rrëfim për marrëveshjet tona shoqërore që t’i tolerojmë ata gishtërinj si topuzë në të pasmet tona

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rrëfimi i sotëm nisi pa pritur e pa kujtuar, një ditë prej ditësh, me një dhimbje të çuditshme te të pasmet që e pandeha si të përkohshme, por që nuk po hiqej dhe, dikur, pas disa ditësh vendosa të shkoja te doktori. Bëra një kërkim (research me të sotmen) të shpejtë në internet, i pashë disa vlerësime (reviews demek) dhe vendosa për mjekun që dilte si më i vlerësuari.

Më dëgjoi disi me sy dhe buzë pakëz të rrudhur që nënkuptonte se po dëgjonte me interesim dhe sakaq vuri dorëzat, më tregoi gishtin tregues, më tha të shtrihesha dhe m’u duk se më shpoi si me thikë. E durova. Edhe ashtu kisha dhimbje dhe po shpresoja fort që ai gisht në zorrën time do të shërbente disi si ilaç. Më tha se kisha fisurë. Ishte një fjalë që po e dëgjoja sefte. Më dha një kremë dhe më tha se do të bëja së shpejti më mirë. Kur disa ditë më pas, nuk po bëja më mirë, vendosa të shkoja te një tjetër mjek, mezi duke u ulur në makinë.

Një doktor i pashëm, me mantel që i rrinte bukur, kishte lëshuar „Hotel California“ për të krijuar një atmosferë të këndshme. I thashë se dija ta luaja me kitarë. Po të mund të ulesha, pra. Më tha të lëshoja pantallonat, vuri dorëzat, dhe sërish zgjati gishtin. Ndër dhimbjet që kisha, u ktheva ta shikoja. Ishte mbështetur disi në trupin tim e po shikonte në tavan me gojën gjysmë të hapur, thuajse po i shijonte.

-        A je i sigurt se është gishti jo diçka tjetër, o doktor?

Pyeta helbete. Më shkoi mendja: mund t’i jem dukur seksi, meqë dija ta luaja „Hotel California“ në kitarë. Fundja, më nuk isha i virgjër nga kjo anë e trupit. Më tha se kisha hemorroide. Më dha një listë me gjëra që nuk duhet t’i haja dhe një kremë tjetër për t’u lyer. Të nesërmen, ajo që më kishte qenë si hemorroid shpërtheu, duke rrjedhur një lëng si përzierje e së kremtes me të kuqen e të kaftën në pastel. Shkova tek i njëjti doktor. Hyra disi me atë fytyrën: Unë jam ai që di të luajë „Hotel California“. I tregova për shpërthimin. Rrudhi krahët. Bëri aso fytyre si ata djemtë kur duan t’i lënë të dashurat. 

-        A po, a? Duhet të shkosh te ndonjë kirurg?

U ndjeva si gratë që i lënë pas natës së parë. Ç’është e vërteta, hapi pakëz derën për t’i thënë infermieres të mos m’i marrë paret këtë herë.

Atë natë mora në telefon kushëririn tim, kirurg në Spanjë. I tregova për simptomat. Ti ke fistullë, më tha. Duhet të operohesh. Gjeje një kirurg të mirë.

Sërish bëra kërkim në internet bashkë me vlerësimet dhe zgjodha tek ai, për të cilin po thuhej se është më miri në Kosovë e më gjerë.

Shkova të caktoja operacionin. Datën.

Sa u ula më pyeti përse kisha ardhur. M’u duk se po pyet vërtet dhe nisa të flisja.

-        Para nja dy jave…

-        Çfarë para dy jave?! – më bërtiti rreptë. Unë po të pyes çka ke, ti më flet: dy javë, tri javë.

Nuk thashë më asgjë, vendosa të dilja nga zyra, por ai doli në korridor: “Kthehu, se e nisëm gabim”.

Po ikja pa paguar. Hajt u ktheva.

Sërish m’i lëshoi pantallonat. I vuri dorëzat. Kisha marrë traumë nga dorëzat tashmë. „Po unë nuk e kam gishtin e trashë”, më tha. Përzo e kishte sa të duash, sa gishti im i madh i këmbës. Si topuz.

Ke hemorroide më tha. Jo kam fistullë i thashë. Kam ardhur të caktoj termin për operacion. Mori të më shikonte sërish: Uuu, po fistullë!

Ec e hyji në brisk këtij!

Në fund përfundova në Shkup, në një operacion që doli të ishte ndër inovatorët në rajon. Telashet më mbaruan së shpejti. Mua më mbetën ca pyetje e dilema.

Përse një pacient në Kosovë duhet të kalojë një përvojë si kjo imja, si kompleks sharllatanizmi, paedukate e papërgjegjësie? Cili është dallimi mes kushëririt tim kirurg në Spanjë, i shkolluar në Prishtinë me kolegët e tij që punojnë në Kosovë? Përse duhet të shkojmë në Shkup për t’u shëruar për diçka kaq banale?

E pyeta dostin tim AI-në (Ej-Ajin de). M’i listoi nja tetë shkaqe, disa serioze e disa më pak. E pyeta se si mund të zgjidhet problemi. M’i dha nja pesë hapa që në dukje të parë janë normale, por që, po ashtu, besoj i ka parasysh kushdo që ka punë me shëndetësinë në Kosovë. Nuk pati asgjë që nuk dihet.

Në fakt, shembulli i përvojës sime personale në sektorin e shëndetësisë është vetëm pasqyrim i shoqërisë sonë në Kosovë. Kudo, në secilën sferë shoqërore do të kishim probleme të njëjta: nejse ato probleme mund të jenë të tjera, jo aso që të të mos lënë të ulesh, por besoj se e kemi të qartë se për çfarë po flitet.

Jürgen Habermas vdiq sivjet dhe nja dy-tre vjet më parë, një ndër librat e rëndësishëm të tij u përkthye në shqip me shumë kujdes nga Blerta Ismajli. Habermas flet për deliberimin (marrëveshjezimin), si një model, ku mediet, shoqëria civile, debatet e përditshme, deri edhe bisedat nëpër kafene i formësojnë mendimet dhe vlerat brenda komunitetit, përmes ligjërimit racional publik, ndërsa institucionet formale pastaj i përkthejnë këto në vlera sistemore. Megjithatë, në shoqërinë tonë sharlatanizmi, paedukata dhe papërgjegjësia mëkohen disi pavërejtshëm dhe vazhdueshëm. Janë rezultate të marrëveshjes sonë të përbashkët si shoqëri. Jo si diskurs racional që prodhon legjitimitet, por si njëfarë konsensusi i heshtur shoqëror që prodhon shmangien e rregullave formale dhe të vlerave të përgjithshme.

Në shoqëri, kemi arritur të merremi vesh mes vete pavërejtshëm se të kesh të njofshëm, të japësh mito, të nënshtrohesh para autoriteteve, qofshin ato autoritete mjekësore, të cilave ua lëmë shëndetin e jetën në dorë, është zgjidhje më e lehtë dhe më e dobishme. 

Sikur rrena që është gjithmonë akt bashkëpunimi. Askush nuk mund të të gënjejë, nëse ti nuk dëshiron ta besosh atë gënjeshtër. Njëjtë është edhe me këtë sistem. Askush nuk mund të ta imponojë, nëse ne nuk e mëkojmë vetë. Si rrjedhojë, askush nuk mund ta ndryshojë, nëse nuk ndryshon marrëveshjezimi ynë i përbashkët.

E kuptova. Nuk më kishte askush faj në këtë përvojën time. Faj kisha vetë. Faj se nuk kisha ndërmarrë asgjë në këtë diskursin publik që formëson marrëveshjet shoqërore.  

Për të dalë nga një situatë e tillë, jo vetëm në shëndetësi, do të duhet një ringjallje e sferës publike, një marrëveshje e re shoqërore me debat të hapur dhe të vazhdueshëm.

Përndryshe, do të duhet të kërkojmë që mjekët të paktën t’i kenë gishtërinjtë pak më të hollë, dreqi e marrtë, se do të mbetemi pa u ulur kurrë.

Me fjalë të tjera: Ndoshta është mirë të mos ulemi fare.